SYRI TV/ Besnik Koçiu ndërroi jetë në burgun 313, familjarët e tij kërkojnë zbardhjen e ngjarjes

15:45, 26/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Familjarët e Besnik Koçiut, i cili ndërroi jetë më 24 korrik në burgun 313 në Tiranë, akuzojnë autoritetet për neglizhencë dhe kërkojnë zbardhjen e ngjarjes. Në një letër publike, ata shprehen se 51-vjeçari nuk ndërroi jetë për shkak të një sëmundjeje, por si pasojë direkte e shpërfilljes institucionale dhe neglizhencës sistematike.

Sipas tyre, një ditë para vdekjes, personat me të cilët ai ndante qelinë kishin shprehur shqetësim për përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore. Megjithatë, në vend që t’i ofrohej ndihmë mjekësore, ai u izolua në një ambient tjetër brenda institucionit.

Familjarët theksojnë se Burgu 313, si institucion i vuajtjes së dënimit, nuk tregoi kujdesin dhe ndjeshmërinë minimale njerëzore ndaj një të paraburgosuri me probleme serioze shëndetësore.

Natën e parafundit të jetës së tij, Besniku ndante dhomën me disa të burgosur të tjerë, të cilët, duke vënë re përkeqësimin e dukshëm të gjendjes së tij, kërkuan ndihmën e administratës. Por në vend që të transportohej për trajtim mjekësor, ai u largua nga dhoma dhe u izolua në një ambient tjetër, ku edhe ndërroi jetë – i vetëm, pa ndihmë, pa kujdes mjekësor dhe pa asnjë njeri pranë në momentet e fundit të jetës së tij.

“Do vdes këtu,” kishte thënë ai dy ditë më parë, me zë të ulët, sipas dëshmisë së familjarëve. 

Ata shtojnë se, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të kërkuar ndihmë dhe për të trokitur në dyert e institucioneve, askush nuk i dëgjoi. Dhe, ashtu siç kishte parandjerë, ndodhi e paevitueshmja.

“Por si është e mundur të ndodhë kjo? Si mund të lëmë një njeri 51-vjeçar, të sëmurë rëndë, të vdesë në qeli nga braktisja? Edhe nëse do të ishte fajtor, edhe nëse do të ishte kriminel, minimumi që do të meritonte ishte trajtim human, kujdes mjekësor dhe dinjitet njerëzor,” shkruajnë ata.

Sipas familjarëve, Besnik Koçiu ishte përfshirë në një ngjarje aksidentale, ku si pasojë një person tjetër u plagos në këmbë nga një armë sportive. Ata deklarojnë se ngjarja ndodhi pa dashje dhe i dëmtuari jo vetëm që nuk kërkoi ndjekje penale, por e fali menjëherë Besnikun.

Megjithatë, Koçiu u arrestua në flagrancë, nën dyshimin se kishte konsumuar elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal, dhe ndaj tij u vendos masa e arrestit me burg.

Ngjarja ndodhi pasditen e 12 korrikut, në zonën e Valiasit, ku policia arrestoi edhe të plagosurin, Franci Xhaferri. Ky i fundit u akuzua se gjatë hetimeve nuk bashkëpunoi me autoritetet dhe nuk dha informacion mbi rrethanat e ngjarjes apo mbi autorin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco