Vazhdon të jetë alarmante situata nga zjarret që prej tre ditësh kanë përfshirë zonat jugore të vendit. Vatra më aktive aktualisht ndodhet në kodrën përballë fshatit Palavli dhe në sipërfaqen mbi baxhon e fshatit Kopaçëz, pjesë e Njësisë Administrative Vergo, Bashkia Delvinë. Dyshohet se flakët janë përhapur edhe në malin mbi Borsh, duke shtuar shqetësimet për një përkeqësim të mëtejshëm të situatës.
Zjarri në Borsh ndodhet aktualisht në zonën malore mbi rrugën nacionale mes Piqerasit dhe Borshit. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik të menjëhershëm për banesat, por ndërhyrja e shpejtë është jetike për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve në zonat e banuara dhe turistike.
E gjithë zona është e mbuluar nga tymi, duke krijuar pasiguri te operatorët turistikë dhe pushuesit e shumtë që ndodhen në Borsh në kulmin e sezonit veror. Mendohet se zjarri që ka përfshirë malin mbi Borsh ka ardhur si pasojë e përhapjes nga vatrat në fshatrat e Delvinës.
Autoritetet bëjnë thirrje për ndihmë të menjëhershme nga strukturat shtetërore dhe forcat zjarrfikëse për të menaxhuar situatën që mbetet ende jashtë kontrollit.
© SYRI.net