Delvina digjet nga zjarret, mbyllet përkohësisht tuneli i Skërficës

19:59, 25/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një situatë kritike është duke u zhvilluar prej orësh në jug të vendit, ku flakët kanë përfshirë disa zona të banuara në Delvinë dhe përreth. Prej më shumë se 3 orësh, tre fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz janë nën pushtetin e zjarrit, duke detyruar Ministrinë e Mbrojtjes të urdhërojë evakuimin e banorëve për arsye sigurie.

Zjarri ka shkrumbuar disa banesa dhe objekte të rëndësishme, përfshirë edhe kisha, ndërsa ende nuk është bërë publik numri i saktë i dëmeve materiale. Raportohet se shefi i Komisariatit të Delvinës është dërguar në spital pas asfiksimit nga tymi, ndërsa pesë persona të tjerë janë trajtuar në Shërbimin e Urgjencës për djegie dhe probleme nga asfiksimi, me dy prej tyre të transportuar drejt Spitalit të Sarandës për ndihmë më të specializuar.

Ndërkohë që në ndihmë po shkojnë ambulanca dhe forca shtesë nga Saranda dhe Delvina. Për përballimin e flakëve janë angazhuar dy helikopterë të Forcës Ajrore, por terreni i vështirë dhe temperaturat e larta e bëjnë ndërhyrjen të rrezikshme dhe të ngadaltë.

Një tjetër vatër e rëndë zjarri është ajo në fshatin Senicë, ku katër banesa janë djegur plotësisht dhe qindra pemë frutore janë zhdukur. Kisha e Shën Dhimitrit, një ndër më të vjetrat në jug të vendit dhe monument kulture i rrallë, është shkrumbuar tërësisht, duke zhdukur një pjesë të identitetit historik të zonës. Banorët e tronditur përshkruajnë momente paniku dhe përpjekje për të shpëtuar jetën dhe ato pak pasuri që mundën të nxirrnin nga flakët.

Zjarri nisi pasditen e së enjtes dhe për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, u përhap me shpejtësi drejt zonave të banuara. Ndërhyrja ajrore ka mundur ta vendosë nën kontroll mëngjesin e së premtes, por pasojat janë të rënda. Furnizimi me energji elektrike është ndërprerë në fshatrat Vergo, Kalasa, Tatzat dhe Senicë, për shkak të dëmtimit të rrjetit të tensionit të lartë.

Ndërkohë, zjarre aktive raportohen edhe në Parkun Kombëtar të Lurës, ku po digjen pishat dhe bimësia në zonën e Liqenit të Luleve. Mbi 100 forca janë në terren, të ndihmuar nga një avion Canadair i ardhur nga Kroacia.

Situata mbetet e rënduar edhe në Shkopet dhe zonën e Mirditës, ku flakët janë përhapur drejt fshatit Fang, duke rrezikuar antenat dhe objektet teknologjike. Punonjës të bashkisë kanë mbetur të lënduar gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit me mjete të pamjaftueshme.

Emergjencat Civile raportojnë për 10 vatra aktive në të gjithë vendin. Në operacion ndodhen aktualisht 680 forca operacionale, 52 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë të Forcës Ajrore, 2 helikopterë hungarezë dhe 1 avion Canadair nga Kroacia. Deri tani, vetëm dy persona janë proceduar penalisht për shkaktimin e zjarreve, në Kakavijë dhe Dovolan të Korçës.

Situata mbetet e rëndë dhe autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal dhe bashkëpunim të plotë me forcat e emergjencës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco