Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme zonën kodrinore të fshatit Konisbaltë, në bashkinë Dimal. Vatra e parë e zjarrit u shfaq në kufirin me fshatin Mbreshtan dhe, për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, flakët u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të thatë.
Në vendngjarje ndërhynë fillimisht zjarrfikësit e Dimalit, të cilëve më pas iu bashkua grupi i emergjencës nga Berati, me tre mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë. Ndihmë shtesë u ofrua edhe nga bashkia e Kuçovës, me një mjet zjarrfikës dhe katër zjarrfikës të tjerë.
Pavarësisht terrenit të vështirë që ka vështirësuar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, ekipet kanë arritur të lokalizojnë flakët dhe po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit. Aktualisht, disa vatra vijojnë të jenë aktive dhe mbahen nën monitorim të vazhdueshëm për të shmangur riaktivizimin.
Autoritetet u bëjnë apel banorëve të zonës të tregojnë kujdes të shtuar dhe të njoftojnë menjëherë strukturat përkatëse në rast se vërejnë ndonjë vatër të re zjarri.
© SYRI.net