Zjarret aktive në vendin tonë kanë përshkallëzuar situatën, pasi po digjen edhe banesa. Në Delvinë dhe Kakavijë u dogjën 15 banesa dhe një kishë, ndërsa banorët janë evakuuar. Në fshatin Kalasë të Delvinës, zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa këtë të premte ka ndërhyrë një helikopter për shuarjen e flakëve. Për zjarrin në Kakavijë u arrestua një 39-vjeçar, ndërsa situata vijon të jetë kritike në disa qarqe. Teksa priten reshje shiu, në disa qarqe të vendit IGJEUM parashikon situatë të vështirë në orët në vijim.
Të paktën pesë banesa të braktisura dhe kisha e Shën Dhimitrit janë djegur nga zjarri që vijon të jetë ende aktiv në fshatin Kalasë, në bashkinë Delvinë. Ndërkohë, zjarri vijon të përparojë drejt fshatit Senicë, duke rrezikuar banesa dhe kasolle bagëtish.
Fshati është në rrezik, ndërsa gjatë mesditës së së premtes, në ndihmë të zjarrfikësve nga toka ka shkuar edhe një helikopter nga ajri. Flakët përhapen me shpejtësi, të ndihmuara nga era dhe bimësia e thatë, ndërsa terreni malor vështirëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Ndërkohë, rreth orës 4 të mëngjesit të kësaj të premteje, është shuar zjarri në fshatrat Plesat, Kadhiq dhe Prongji të Gjirokastrës. Zjarri ka djegur sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi, ndërsa në terren zjarrfikësit vijojnë punën për të shuar edhe vatrat që mund të bëhen burim riaktivizimi të zjarreve.
Në Kakavijë është arrestuar një 39-vjeçar, i cili gjatë punimeve me troko shkaktoi zjarrin në fshatin kufitar, ku pasojat ishin të rënda, pasi u dogjën katër banesa dhe sipërfaqe me pyje dhe pemë frutore.
Banorët u evakuuan nga shërbimet e Policisë, ndërsa zjarri u shua si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të Zjarrfikëses, Policisë së Shtetit, FRONTEX-it dhe Forcave të Armatosura, të asistuara nga helikopterë të autoriteteve greke.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në vend vijojnë të jenë aktive edhe 10 vatra zjarri, përfshirë qarqe si Elbasani, Dibra, Lezha, Korça, etj.
Sipas IGJEUM-it, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin. Ndërsa sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet dhe “SHUMË I LARTË” në qarkun e Korçës. Temperaturat pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius në zonat e ulëta. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse çdo vatër të dyshimtë.
© SYRI.net