Kompania publike që menaxhon landfillin e Elbasanit, ECO-ELB, e cila është e vendosur nën sekuestro, ka që prej vitit 2023 që nuk shlyen nënkontraktorin e saj. Sipas vendimit të gjykatës, kompania që menaxhon landfillin e Elbasanit është vënë në dijeni për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nga gjykata që në tetor të vitit të kaluar. Por drejtuesit e “Eco-Elb” nuk kanë lëvizur aspak, duke arritur në pikën që shoqëria të vendoset nën sekuestro, derisa të bindet që të paguajë borxhet, edhe pse ka marrë 4 milionë euro nga bashkitë për depozitimin e mbetjeve në landfill.
SYRI TV
Kompania publike që menaxhon landfillin e Elbasanit, “Eco-Elb”, është vendosur nën sekuestro, pasi prej gati dy vjetësh nuk shlyen një borxh në shumën 7 milionë lekë të reja, ose 70 mijë euro. Ndërkohë, banesat dhe zyrat e drejtuesve të saj ishin pjesë e një kontrolli të zhvilluar pak ditë më parë nga prokuroria dhe policia e qytetit, në kuadër të një hetimi për “shpërdorim detyre”, “ndotje ambienti” dhe “zjarrvënie të qëllimshme”.
Në datën 7 korrik 2025, Qendra Kombëtare e Biznesit ka regjistruar kërkesën e një përmbaruesi privat për bllokimin e çdo transaksioni të shoqërisë “Eco-Elb”. Në faqen e QKB-së nuk sqarohet se për çfarë është vendosur ky bllokim.
“Syri Televizion” zbuloi një vendim të Gjykatës së Elbasanit, e cila ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit të rreth 10 faturave, për shërbime që një kompani me seli në Korçë ka ofruar për shoqërinë publike. Sipas vendimit gjyqësor, “Eco-Elb” ka prej vitit 2023 që nuk shlyen nënkontraktorin e saj. Gjykata e Elbasanit ka dhënë vendimin fillimisht në tetor 2024, por për shkak të një gabimi material, vendimi ka marrë formë të prerë në qershor të këtij viti.
Edhe kjo vonesë disa-mujore në zbardhjen e vendimit të saktë është një dëshmi se “Eco-Elb” ka paaftësi të theksuara financiare për të shlyer detyrimet e saj. Kompania që menaxhon landfillin e Elbasanit është vënë në dijeni për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nga gjykata që në tetor të vitit të kaluar. Por drejtuesit e “Eco-Elb” nuk kanë lëvizur aspak, duke arritur në pikën që shoqëria të vendoset nën sekuestro, derisa të bindet që të paguajë borxhet.
Shoqëria “Eco-Elb” u krijua në fund të vitit 2021, me aksionerë shtatë bashkitë e qarkut Elbasan. Kompania ka për objekt menaxhimin e landfillit dhe inceneratorit jo-funksional të qytetit. Gjatë katër viteve të funksionimit të saj, “Eco-Elb” ka marrë më shumë se 4 milionë euro pagesa nga bashkitë për depozitimin e mbetjeve në landfill. Por, pavarësisht këtyre pagesave, “Eco-Elb” sërish nuk është në gjendje që të paguajë borxhin për një vlerë totale 70 mijë euro.
Shoqëria publike e trajtimit të mbetjeve në Elbasan ka qenë shpesh në fokus të kritikave të opozitës për keqmenaxhim financiar. Prokuroria e qytetit gjithashtu ndan të njëjtat dyshime, të cilat po i heton prej disa muajsh.
Pak javë më parë, Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi rritjen e çmimit të tarifës për depozitimin e mbetjeve, në tentativë për të rritur performancën financiare të kompanisë “Eco-Elb”, e cila menaxhon një impiant të përpunimit të mbetjeve që nuk ka punuar thuajse asnjë ditë.
© SYRI.net