Policia e Durrësit ka referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj dy shtetasve, të dyshuar se shfrytëzonin fëmijët e tyre të mitur për të lypur në zonën turistike të plazhit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, gjatë patrullimeve të intensifikuara për garantimin e rendit publik dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme, konstatuan në rrugë tre fëmijë dhe pesë të rritur duke lypur.
Për shtetasit A. B., 54 vjeç, dhe E. A., 34 vjeç, ka nisur procedim për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, pasi dyshohet se i detyronin fëmijët e tyre të mitur të kërkonin lëmoshë në rrugë.
Ndërkohë, për pesë shtetas të tjerë të moshës 21 deri në 40 vjeç, që u konstatuan duke lypur, janë referuar materialet për vlerësim nga Prokuroria.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Durrësit apelon fuqishëm ndaj qytetarëve, sidomos prindërve, që të mos përfshijnë të miturit në veprimtari ekonomike të papërshtatshme për moshën e tyre, pasi përveçse përbën një vepër penale, dëmton rëndë zhvillimin psiko-emocional të fëmijës.
© SYRI.net