Nuk ka të ndalur vatra e zjarrit në malin Shën Gjergji në Dukat të Vlorës. Flakët vazhdojnë për disa ditë me radhë dhe orët e fundit duket se kanë qënë kritike për aktivizimin e vatrës së zjarrit.
Përgjatë të mërkurës flakët u vendosën nën kontroll, por era që preku Dukatin në mbrëmje bëri që të riaktivizoheshin sërish.
Flakët i janë afruar edhe më tepër Parkut Kombëtar të Llogorasë, duke zgjeruar hartën e sipërfaqes së shkrumbuar nga flakët.
Momentalisht vatrat aktive të zjarrit janë në majën e malit ku ndërhyrja është e vështirë.
60 efektivë të ushtrisë, zjarrfikses, ADZM janë në aksion për shuarjen e flakëve që zbresin në shpatin e malit, ndërsa dy helikopterët nën varësi të Ministrisë së Mbrojtjes marrin ujë në Orikum për ti hedhur në majën e malit të Dukatit.
© SYRI.net