Municion luftarak në shtëpi/ Prokuroria ‘fali’ vëllain e deputetit të PS, gjykata ‘afërmendsh’ e aprovoi

Municion luftarak në shtëpi/ Prokuroria ‘fali’ vëllain e deputetit të PS, gjykata ‘afërmendsh’ e aprovoi

11:20, 24/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje ” për 38 vjeçarin Denis Hasalla, vëllain e deputetit socialist Saimir Hasalla, dhe për shtetasin Bledar Çullhaj. Të njëjtën masë kërkoi prokurori Xhelian Seferi, gjatë seancës gjyqësore për vlerësimin e ndalimit dhe arrestit në flagrancë, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura.

Denis Hasalla, 35 vjeç, me detyrë Drejtor Kabineti dhe mbikqyrës i menaxhimit të mbetjeve urbane në Bashkinë e Peqinit, u arrestua mëngjesin e fillimjavës gjatë një operacioni që u zhvillua në disa qytete të qarkut të Elbasanit ku u ushtruan 14 kontrolle. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi municioni luftarak.Operacioni u krye nga Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në zbatim të një vendimi të Gjykatës për lejimin e kontrolleve në kuadër të një procedimi penal të nisur që prej vitit 2024. Ky procedim është i lidhur gjithashtu edhe me hetimet mbi abuzimet financiare të kryera nga kompania "Eco Elb". Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestua edhe shtetasi Bledar Çullhaj, 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë. Ndonëse në fokus të hetimeve ishte bashkëshortja e Çullhajt punonjëse në Bashkinë Peqin.

Në fokus të këtij hetimi janë gjithashtu disa zëvendëskryetarë bashkish të qarkut Elbasan si dhe drejtorë juridikë dhe të Financave, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në marrëdhëniet institucionale dhe financiare me kompaninë që menaxhon mbetjet urbane. Prokuroria ka përfunduar fazën e marrjes në pyetje të 46 personave, të cilët janë thirrur për të dhënë shpjegime lidhur me funksionimin dhe menaxhimin financiar të inceneratorit. Hetimi është regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqmenaxhimit të mbetjeve”. Hetimi  është hapur në vitin 2024 dhe aktualisht ka kaluar në fazën e analizës së marrëdhënieve institucionale dhe financiare mes kompanisë “ECO-ELB” dhe 7 bashkive të qarkut Elbasan e bashkise Rrogozhine. Bëhet fjalë për pagesa të kryera për katër lloje shërbimesh, përfshirë dhe procesin e incenerimit së mbetjeve, i cili sipas hetimeve është kryer pjesërisht, për periudha të kufizuara, ose nuk është kryer fare, ndonëse pagesat janë realizuar rregullisht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco