Anëtari i grupit të Bajrave, Denis Brajoviq, ekstradohet nga autoritetet e Dubait për në Shqipëri. 37-vjeçari, i cili akuzohet si autori i vrasjes së Gjin Boriçit, vjen në Shqipëri një vit pasi u arrestua në Dubai. Shpallja e tij në kërkim u bë në kuadër të dosjes Metamorfoza, ku pas bisedave në SKY është vërtetuar që Denis Brajoviq vrau Gjin Boriçin pas urdhrit të Behar Bajrit. Për Brajoviq, GJKKO ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest në burg’.
Policia e Shtetit ekstradon nga Dubai Denis Brajoviqin, 37-vjeçarin i cili është pjesë e grupit të Bajrave. Brajoviq u arrestua në Dubai më 27 shkurt 2024, pak kohë pasi ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare. Pas kryerjes së procedurave, ai ka mbërritur në Shqipëri këtë të mërkurë.
Denis Brajoviq u shpall në kërkim në kuadër të dosjes Metamorfoza, ndërkohë që GJKKO ka vendosur për të masën e sigurisë ‘Arrest në burg’. Ai akuzohet si personi që ka ekzekutuar Gjin Boriçin më 9 gusht 2020.
Zbardhja e kësaj ngjarjeje u bë nga transkriptimi i bisedave në aplikacionin SKY ECC, ku nga provat e siguruara nga SPAK, orari i bisedave korrespondon me orarin e ekzekutimit. Vrasja e Gjin Boriçit u organizua nga Behar Bajri, ndërkohë që Denis Brajoviq ka qenë personi që e ka ekzekutuar.
© SYRI.net