U rrah brutalisht se denoncoi tendat pa leje, flet biznesmeni Kasaj: Erdhën poshtë zyrës sime dhe më goditën me mjete të forta...

U rrah brutalisht se denoncoi tendat pa leje, flet biznesmeni Kasaj: Erdhën poshtë zyrës sime dhe më goditën me mjete të forta...

14:30, 23/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Biznesmeni Laert Kasaj ka reaguar publikisht pasi u rrah brutalisht në Tiranë disa ditë më parë. Ai shprehet se persona me mjete të forta i kanë shkuar poshtë zyrës dhe e kanë dhunuar. Biznesmeni thotë se nuk ka bërë asnjë denoncim, ashtu siç pretendojnë autorët.

Sipas dëshmitarëve, në momentin e sulmit një nga agresorët i është drejtuar Laert Kasajt me fjalët: “Pse më ke denoncuar?”. Motivi i sherrit dyshohet se është prishja e tendave pa leje pavarësisht se dhe restoranti “Tokyo” është prekur nga aksioni i IKMT në kryeqytet.

Uniformat blu bëjnë me dije se, autorët e dyshuar të dhunës janë Ferhat dhe Oltian Kaja, të dy vëllezërit janë shpallur në kërkim. Autorët e dyshuar janë pronarët e lokalit “Stockholm”, që ndodhet përballë kompleksit ku ndodhi përplasja.

Në këto ditë të vështira për mua dhe familjen time, ndjej nevojën të ndaj disa fjalë me publikun. Para dy ditësh jam bërë objekt i një sulmi të dhunshëm, të paramenduar dhe të organizuar, nga persona konkretë që kanë ardhur poshtë zyrës sime të pajisur me mjete të forta. Pavarësisht se ishte një ngjarje e paprovokuar, në vend që të dënohej dhuna, janë bërë përpjekje për ta justifikuar atë, madje duke më akuzuar se e kam nxitur vetë. Shkak për gjithë këtë, sipas vetë autorëve, është bërë një postim i shpërndarë nga një portal online, në të cilin përmendet lokali i tyre ndër të tjerë. Ironikisht, në atë postim, lokali në pronësinë time është ai që shihet në disa foto, ndërsa të tjerët, përfshirë lokalin e autorëve, pasqyrohen më pak. Megjithatë, kjo u mjaftoi për të më vënë në shënjestër.

Për më tepër, janë shpërndarë lajme të rreme se unë paskam bërë denoncime te Kryeministri kundër autorëve. Ky është një pretendim absurd, pasi unë nuk kam asnjë kontakt me Kryeministrin dhe, pas rreth 20 vitesh në biznes, nuk kam nevojë të merrem me punët e të
tjerëve, aq më pak me persona që as nuk janë konkurrentët e mi. Zotëroj 12 kompani që janë ndër më të suksesshmet në Shqipëri në fushat e tyre. Këto biznese punësojnë rreth 250 punonjës, të cilët çdo ditë japin më të mirën e tyre me përkushtim dhe profesionalizëm. Ata nuk kanë pse të përballen me pasiguri apo frikë, për shkak të një fushate të padrejtë që nuk ka të bëjë me punën tonë.

Në këtë klimë të rënduar, më shqetëson edhe se si disa portale online publikojnë çdo gjë që u sjell klikime, pa verifikuar burimet, pa u interesuar për të vërtetën, pa menduar për pasojat që sjellin mbi njerëzit. Kjo është një sjellje e rrezikshme, që ushqen dhunë, urrejtje dhe ndjenjë padrejtësie. Në përfundim, kam vendosur të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur dinjitetin tim, të vërtetën dhe të drejtën time për të mos u përballur me dhunë dhe shpifje”, ka shkruar Laert Kasaj.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco