Katër veterinerë janë arrestuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve në Policinë e Korçës, pasi dyshohet se matrikulluan bagëti e gjedhë të kontrabanduar nga Greqia.
Katër punonjësit e Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke matrikulluar 120 krerë bagëti dhe gjedhë, në kundërshtim me urdhrin e Ministrisë së Bujqësisë për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të imta.
Të arrestuarit janë: Baki Myrtollari, 64 vjeç, banues në Durrës; Kujtim Agolli, 57 vjeç, banues në Korçë; Demir Koritari, 64 vjeç, banues në Maliq (këta tre si veterinerë në Degën e Devollit të Autoritetit Kombëtar Veterinar); Ergys Lame, 39 vjeç, banues në Devoll, gjithashtu punonjës i AKVMB, u arrestua për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në kërkim është shpallur shtetasi G. M., 39 vjeç, banues në Devoll, dyshohet si organizatori i kontrabandës, i cili akuzohet për: ‘Kontrabandë me mallra të tjera’; “Tregtim dhe transport i mallrave kontrabandë”; “Fshehje të të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”.
Janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit M. M., 40 vjeç, banues në Voskop, E. Z., 48 vjeç, banues në Bilisht dhe R. Zh., 57 vjeç, banues në Tren.
Të tre dyshohen për veprën penale “Ruajtje apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, pasi mbajtën në stallat e tyre bagëti të kontrabanduara.
Nga hetimet paraprake rezulton se G. M. ka futur në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar 100 krerë bagëti të imta dhe 20 gjedhë nga Greqia. Më pas, në bashkëpunim me veterinerët e arrestuar, është bërë matrikullimi i paligjshëm i tyre, duke përdorur matrikulla të marra nga Zyra Veterinare e Devollit. Kafshët janë shpërndarë më pas në stallat e shtetasve të proceduar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ndërkohë që hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe zbardhjen e plotë të rrjetit të kontrabandës.
© SYRI.net