Britania vendos sanksione ndaj bandave të trafikut të paligjshëm të emigrantëve, mes tyre edhe një shqiptar

Britania vendos sanksione ndaj bandave të trafikut të paligjshëm të emigrantëve, mes tyre edhe një shqiptar

09:55, 23/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në Britaninë e Madhe ka hyrë në fuqi vala e parë e sanksioneve që godasin rrjetet e trafikimit të emigrantëve të paligjshëm.

Masat godasin 25 individë dhe entitete, përfshirë një furnizues varkash të vogla në Azi dhe drejtues bandash në Ballkan dhe Afrikën e Veriut.

Në shënjestër janë vendosur edhe ndërmjetës që përdorin sistemin e transferimit të parave “Hawala” në Lindjen e Mesme, i cili është përdorur për pagesa të lidhura me kalimet ilegale përmes Kanalit të La Manshit.

Mes të sanksionuarve është edhe shqiptari Bledar Lala, i identifikuar si drejtues i operacioneve të një grupi të organizuar të trafikimit në Belgjikë, si dhe një kompani në Kinë që reklamonte varka të vogla për trafik emigrantësh në një platformë online.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, e cilësoi këtë si një “moment historik në përpjekjet e Qeverisë për të luftuar krimin e organizuar të emigracionit dhe për të ulur migrimin e parregullt drejt MB-së”.

“Qoftë në Europë apo në Azi, ne po e çojmë luftën te trafikantët që mundësojnë emigrimin e paligjshëm, duke i goditur kudo që ndodhen dhe duke i detyruar të përgjigjen për veprimet e tyre”, tha ai.

Çfare parashikojne sanksionet 

Masat synojnë të godasin rrjetet e krimit të organizuar kudo në botë dhe të ndërpresin rrjedhën e parave të tyre, përmes ngrirjes së llogarive bankare, pronave dhe aseteve të tjera, për të penguar aktivitetet e tyre.

Bizneseve dhe bankave britanike do t’u ndalohet ligjërisht të kenë marrëdhënie me individët apo entitetet e përfshira në listë.

Ky hap vjen pas miratimit të një ligji të ri në kuadër të Projektligjit për Sigurinë Kufitare, Azilin dhe Emigracionin, që forcon kompetencat e policisë dhe autoriteteve për hetimin dhe ndjekjen penale të trafikantëve të njerëzve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco