Temperaturat e larta dhe mungesa e sistemit të vaditjes po rrezikojnë seriozisht prodhimin e ullirit në njësinë administrative Kurjan të Rroskovecit, duke ndikuar në jetesën e qindra fermerëve. Ata thonë se prodhimi është përgjysmuar duke dëmtuar ekonominë e tyre, ndërsa kërkojnë ndërhyrje në sistemin vaditës.
SYRI TV
Mungesa e sistemit vaditës si dhe temperaturat e larta rrezikojnë seriozisht prodhimin e ullirit në katër fshatra të njësisë administrative Kurjan të Rroskovecit.
Në fshatrat Mbërs, Vlosh, Kurjan dhe Ngjeqan, fermerët përballen me mungesë të ujit dhe tharje të tokës. Kjo ka sjellë përgjysmimin e prodhimit të ullinjve, dhe banorët e zonës e cilësojnë si vitin më të keq në dy dekadat e fundit, duke dëmtuar ekonominë e tyre. Ata thonë se edhe pse fshati është i rrethuar me burime ujore, sistemi vaditës nuk funksionon.
Fermerët shprehin shqetësim edhe për mungesën e tregut dhe mbështetjes nga shteti.
Specialisti i bujqësisë në Kurjan, Agur Shabanaj, shpjegon se terreni kodrinor e bën të vështirë sigurimin e një sistemi vaditës funksional.
Në njësinë administrative Kurjan të Rroskovecit numërohen rreth 300 mijë rrënjë ulliri, ku 90% e sipërfaqes së tokës bujqësore është me ullinj. Ndërsa fermerët përballen me motin dhe mungesën e mbështetjes, zgjidhja qëndron te investimet urgjente për sistemin vaditës, për të shpëtuar jo vetëm prodhimin, por edhe jetesën e tyre.
© SYRI.net