Saranda zgjohet në ‘shtet-rrethim’, RENEA bën kontrolle gjatë natës në qytet

Saranda zgjohet në ‘shtet-rrethim’, RENEA bën kontrolle gjatë natës në qytet

08:46, 22/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Saranda është kthyer muajin e fundit në epiqendër të veprimtarive kriminale, ku përplasja mes grupeve të ndryshme apo për interesa ekonomike deri edhe në ngjarje për motive të dobëta apo banale, ka shkaktuar disa persona të plagosur e deri tek shpërthime me eksploziv. Persona të armatosur, me precedentë të rëndë kriminalë e deri tek persona në kërkim, kanë qenë shpesh autorë të ngjarjeve të rënda.

Prej orës 03.30 të mëngjesit të sotëm, në qytet kanë mbërritur forcat RENEA, të cilat kanë zhvilluar kontrolle të ndryshme për kapjen e personave në kërkim, të përfshirë në këto ngjarje. Paralelisht kontrolle janë zhvilluar edhe nga FNSH dhe forcat “Shqiponja”. Ende nuk dihen rezultatet e këtij  operacioni, ndërkohë që detaje priten në orët në vijim. Ky është operacioni i dytë që zhvillohet brenda tre ditëve, pas atij në orët e para të mëngjesit të së dielës kur kontrolle u ushtruan nga forcat operacionale të Tiranës e Vlorës, në bashkëpunim me FNSH dhe forcat “Shqiponja”, por pa rezultat.

Mbrëmjen e djeshme, shpërthimi  i eksplozivit shkatërroi  automjetin e 31-vjeçarit Klaus Jaçaj, person me precedentë aktualisht në kërkim për ‘përkrahje të  autorit të krimit’, lidhur me ngjarjen e 17 korrikut, kur në Sarandë u plagosën me armë dy të rinj nga Kamza.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco