SPAK njoftoi këtë të premte se në kuadër të një operacioni ndaj narkotikëve ka kryer arrestime, kontrolle dhe sekuestrime provash në disa zona të vendit.
Në fakt, përtej propagandës së SPAK, ky i fundit është vetëm ekzekutuesi, ndoshta me pa dëshirë, i një operacioni të partnerëve ndërkombëtarë.
Operacioni është shtrirë në qarqet Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë, ku janë ekzekutuar 7 nga 13 masat e sigurisë të dhëna nga Gjykata e Posaçme.
Mes të arrestuarve ndodhet edhe ish-shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, Erjon Dani, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Dani dyshohet se ka vënë në dispozicion të grupit kriminal të dhëna nga sistemi TIMS.
Hetimet, të nisura në vitin 2023, janë bazuar në komunikime të përgjuara nga drejtësia franceze përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC.
Nga analizimi të dhënave ka rezultuar se të ardhurat nga trafiku i kokainës janë përdorur për të ndikuar në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me qëllim lehtësimin e masave të sigurimit apo dënimeve për anëtarë të grupit.
Në total janë identifikuar 13 të dyshuar, të cilët akuzohen se në periudhën 2020–2021 kanë trafikuar mbi 3.5 ton kokainë, rreth 700 kg kanabis dhe 4.2 kg heroinë në shtatë episode të ndryshme.
Burimet për mediat bëjnë me dije se Dani ka dhënë dorëheqje pak kohë më parë, ç’ka ve në dyshim tentativa për dekonspirim të aksionit, siç ka ndodhur edhe më parë.
Pas shpalljes në kërkim dhe presionit të agjencive të huaja, ish-shefi i krimeve Erjon Dani është vetëdorëzuar në Policinë e Himarës.
© SYRI.net