Shpërthimi me tritol në Balldren/ Arrestohet 55-vjeçari nga Tirana, në kërkim bashkëpunëtori

Shpërthimi me tritol në Balldren/ Arrestohet 55-vjeçari nga Tirana, në kërkim bashkëpunëtori

14:55, 11/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 Policia e Lezhës ka dhënë detaje lidhur me shpërthimin me tritol në fshatin Balldren i Vjetër në Lezhë, në një sipërfaqe toke të anëtarëve të fisit Nikulaj. Blutë sqarojnë se është vënë në pranga njëri nga autorët e shpërthimit të lëndës plasëse, Astrit Avdiaj, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Ermal Zalla është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Në njoftimin zyrtar, policia thotë se po vijon hetimet për të sqaruar dhe dokumentuar motivin e kësaj ngjarjeje. Megjithatë, ende nuk dihet motivi i saktë, por ngjarja rikthen në vëmendje konfliktin e vjetër mes familjeve Nikulaj dhe Lekstakaj, një hasmëri që prej dekadash ka lënë pas një seri përplasjesh të përgjakshme në zonën e Lezhës.

Vëmendja ndaj këtij konflikti u rikthye pas ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill 2023 në biznesin e tij në Shëngjin, ku më pas Gjykata e Lezhës dënoi me burgim të përjetshëm Ruben Saraivën duke e shpallur fajtor për vrasjen e Nikulajt.

Njoftimi i Policisë:

Lezhë/Vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të ngjarjes së ndodhur dje, në fshatin Balldren i Vjetër. Vihet në pranga njëri nga autorët e shpërthimit të lëndës plasëse. Identifikohet dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes së datës 10.06.2026, në fshatin Balldren i Vjetër, ku në një sipërfaqe toke shpërtheu një sasi e lëndës plasëse (pa shkaktuar dëme), specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 55 vjeç, banues në Tiranë.

Po në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit E. Z., 35 vjeç, banues në Krujë dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë, vijon hetimi për të sqaruar dhe dokumentuar motivin e kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco