SYRI TV/ Tragjedia në Maliq: Bariu rrëfen përplasjen me armë dhe si rrodhi informacioni te i kërkuari

14:43, 11/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Denoncimi në polici i Aleksandër Kolës, i punësuar si bari pranë familjes Braçellari, ka ekspozuar vendndodhjen e Violand Braçellarit, i cili prej 10 vitesh ishte në kërkim nga Policia e Shtetit.

Syri TV ka siguruar dëshminë e bariut nga Mirdita, teksa ai pohon se është fyer dhe është konfliktuar me Violand Braçellarin, pasi ky i fundit nuk e lejoi të shkonte të vizitonte nënën e sëmurë. Pasi ka bërë denoncimin më 3 qershor, bariu, sipas Policisë, ka marrë pjesë edhe në operacionin për kapjen e Braçellarit në Maliq, pasi është dërguar aty për t’u treguar efektivëve vendndodhjen e tij.

Në operacion mbeti i vrarë polici Enea Mekolli, u plagos kolegu i tij Edision Adri, si dhe mbeti i plagosur edhe vetë Braçellari.

Një bari nga Mirdita, të cilin ish-komandoja Violand Braçellari e kishte punësuar, mori guximin ta denonconte në polici njeriun që terrorizonte Maliqin dhe, pas këtij kallëzimi, u organizua operacioni për kapjen e tij në Maliq, mëngjesin e 4 qershorit, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë Enea Mekolli, u plagos kolegu i tij Edision Adri dhe mbeti i plagosur edhe vetë Violand Braçellari.

Aleksandër Kola, i cili banonte në Durrës, ka bërë denoncim më 3 qershor, ndërsa Syri TV ka mësuar edhe dëshminë e tij, ku tregon se si përfundoi në Korçë për të punuar si bari, kundrejt një pagese prej 120 mijë lekësh në muaj te familja Braçellari.

Aleksandër Kola rrëfen se më 27 maj ishte organizuar një operacion për kapjen e Braçellarit, por ai ishte njoftuar në kohë dhe ishte larguar. Kola rrëfen se ai mbante armë me vete edhe në stan dhe kjo e kishte shqetësuar.

“Para disa ditësh, në mos gaboj ka qenë data 27, ai ka qenë duke punuar dhe e ka marrë dikush në telefon dhe i ka thënë se po ngjiteshin lart në stan disa makina me xhama të zinj. Në atë moment ai ka ikur me vrap dhe ka thënë se po largohej se i kishte dalë një punë. Ka marrë kallashnikovin, që e mbante te dera e stallës, dhe ka ikur me vrap nëpër ferra e në mal.”

Kola rrëfen se e kanë marrë nga shtëpia dhe i kanë thënë se ka nënën e sëmurë. Ai i ka kërkuar dy ditë leje Braçellarit. Kjo kërkesë e tij nuk është pritur mirë dhe është ofenduar nga Braçellari, ndërsa ia ka kthyer me të njëjtën monedhë. Më pas, Braçellari ka nxjerrë armën për ta qëlluar.

“Unë i thashë se më duhen dy ditë leje se kam nënën të sëmurë. Nuk kërkova as rrogën, vetëm disa para për rrugën. Ai më shau dhe unë e shava, dhe u konfliktuam. Pastaj nxori armën dhe më qëlloi me grushte dhe me armë. Në ato momente ka hyrë nëna e tij në mes dhe na ndau. Unë e pashë që mbante kudo armë me vete dhe nëna e tij më tha se ka pasur probleme me drogën. Kam marrë një taksi në telefon që të më dilte përpara dhe jam nisur në këmbë drejt Maliqit. Ai më ka ndjekur pas me makinë dhe unë jam futur poshtë një ure.”

I pyetur nëse Violand Braçellari kishte kontakte në polici, ai është shprehur se Violandi i ka thënë se, kur ka qenë emigrant në Greqi, ka pasur një kushëri që punonte te Krimet në Korçë.

Në ditën e operacionit, mëngjesin e 4 qershorit, bariu është marrë nga uniformat blu për t’u bërë pjesë e operacionit dhe për t’u treguar lokacionin, gjë që evidentohet edhe në dosje.

Aleksandër Kola është nisur së bashku me punonjësit e policisë në vendin e lartpërmendur, ku ka udhëtuar me një automjet tip fuoristradë me ngjyrë gri.

I pyetur në lidhje me faktin se sa automjete policie ka konstatuar që kanë marrë pjesë në operacionin për kapjen e shtetasit Violand Braçellari, shtetasi Aleksandër Kola është përgjigjur se ishin pesë automjete, konkretisht: 1 (një) fuoristradë e bardhë, 1 (një) fuoristradë gri, 1 (një) furgon policie, 1 (një) Range Rover i bardhë dhe 1 (një) fuoristradë gri.

I pyetur se rreth çfarë ore kanë mbërritur në vendin ku ndodhej shtetasi Violand Braçellari, shtetasi Aleksandër Kola është përgjigjur se ka qenë rreth orës 06:30–07:00.

Fillimisht, automjetet e lartpërmendura kanë ndaluar në një distancë prej 100–200 metrash nga vendi ku ndodhej Violand Braçellari dhe, pasi të gjithë punonjësit e policisë kanë zbritur, i kujtohet se kanë veshur pajisjet antiplumb dhe janë armatosur me armë automatike.

Më pas, punonjësit e policisë janë rreshtuar dhe përballë tyre kanë qëndruar 4 (katër) punonjës të tjerë, të cilët ai mendon se ishin drejtuesit e tyre dhe kanë dhënë urdhrat se si do të zhvillohej kontrolli.

Në një moment, një prej tyre, me trup mesatar dhe qeros, u është drejtuar punonjësve të policisë me fjalët: “Asnjë fjalë”, dhe ka urdhëruar shpërndarjen e tyre të organizuar në grupe prej 4 (katër) vetash.

Pasi punonjësit e policisë kanë hyrë për kontroll, ai ka dëgjuar të shtëna armësh dhe fjalët “Dorëzo armën”, ndërsa ka konstatuar se një punonjës ishte i dëmtuar në pjesën e nofullës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco