Shefi i Policisë Kriminale bashkëpunonte me grupin kriminal/ Zbulohet skema e trafikut ndërkombëtar të drogës nga Amerika Latine

Shefi i Policisë Kriminale bashkëpunonte me grupin kriminal/ Zbulohet skema e trafikut ndërkombëtar të drogës nga Amerika Latine

17:53, 11/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ekzekutuar një operacion të gjerë në qarqet Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë, në kuadër të një hetimi ndërkombëtar të udhëhequr nga autoritetet franceze, ekuadoriane, italiane dhe serbe, në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust.

Operacioni është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 177/2023 dhe me urdhër të Gjykatës së Posaçme, duke çuar në arrestimin e 7 personave dhe shpalljen në kërkim të 6 të tjerëve, të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, ndikim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre.

Hetimet kanë zbuluar se grupi i strukturuar kriminal ka trafikuar lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian në 11 episode të ndryshme gjatë viteve 2020–2021. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar rreth 3585 kg kokainë, 701 kg kanabis, 4.2 kg heroinë, si dhe armë, para, dokumente dhe automjete luksoze.

Të arrestuarit janë: A. Gj., V. R., A. A., M. Gj., J. (alias I.) M., S. L., dhe E. D. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur K. M., D. H., E. R., L. L., S. M., dhe L. Ç., ndaj të cilëve janë lëshuar urdhër-arreste kombëtare dhe ndërkombëtare. Autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe ekstradimin e tyre.

Gjatë hetimeve është konstatuar përdorimi i platformës së enkriptuar “Sky ECC” për komunikimin ndërmjet anëtarëve të grupit, ndërsa disa prej të dyshuarve dyshohet se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm mbi funksionarë publikë në këmbim të pagesave deri në 7500 euro, për të ndikuar në masat e sigurisë dhe dënimet në gjykata.

Në mesin e të hetuarve ndodhet edhe E. D., ish-shef i Policisë Kriminale dhe zëvendës-shef i Komisariatit nr. 3 në Tiranë, i cili akuzohet se ka vënë në dispozicion të grupit të dhëna të sistemit TIMS, në kundërshtim me ligjin dhe detyrën shtetërore.

Po ashtu, në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi R. U., i dyshuar për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve. Janë ekzekutuar gjithsej 12 urdhra kontrolli në banesa, automjete dhe objekte të ndryshme.

Nga operacioni janë sekuestruar:

• 5 automjete luksoze (Maserati, Porsche, Audi RS6, Audi E-TRON, VW Golf 8),

• 38,970 euro dhe 200 dollarë,

• 8 telefona celularë, përfshirë aparate të enkriptuara,

• 1 armë sportive dhe 40 fishekë kalibri 7.62 mm,

• Lëndë narkotike e dyshuar si kokainë dhe dokumente të ndryshme.

SPAK thekson se operacioni është pjesë e një hetimi shumëpalësh, që po zbatohet me mbështetjen e strukturave evropiane të drejtësisë dhe sigurisë, duke treguar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco