Kundër ndërtimit të HEC-it/ Banorët e Kurdari futen në bashki: Pa ujë nuk kemi jetë, Belinda Balluku të vijë të na japë llogari

11:45, 07/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Banorët e fshatit Kurdari kanë hyrë me forcë brenda në Bashki, duke shpërthyer një protestë të fuqishme kundër ndërtimit të Hidrocentralit (HEC), të cilin e konsiderojnë si një kërcënim për jetën e tyre.

Ata janë shprehur se uji është elementi jetik për mbijetesën e fshatit, pasi bujqësia dhe frutokultura janë burimet e vetme të të ardhurave për ta.

Sipas tyre, ndërtimi i këtij HEC-i do t'i lërë ata pa furnizim me ujë dhe për pasojë do të shkatërrojë çdo mundësi jetese.

LEXO EDHE: Mat - Banorët e Suçit në këmbë kundër HEC-eve: Nëse na marrin ujin zona merr fund...

Protesta ka marrë një kthesë të dhunshme, pasi disa prej banorëve janë futur në zyrat e Bashkisë dhe kanë krijuar përplasje me forcat e policisë që ndodheshin në vend.

Tensionet janë rritur dhe përplasjet janë regjistruar edhe gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që banorët kërkojnë të shprehin pa kompromis kundërshtimin e tyre ndaj këtij projekti që do të ndryshojë përfundimisht jetesën e tyre.

LEXO EDHE: Banorët e Suçit dhe Kurdarisë në protestë, Vata: Kanë falsifikuar firmat e banorëve

Protesta ka pasur edhe zhvillime të tjera, pasi më herët janë raportuar edhe arrestime të disa djemve të fshatit, të cilët kishin kundërshtuar projektin në mënyrë aktive dhe me forcë.

Ky HEC, i cili do të ndërtohet nga një zhvillues i huaj, ka marrë mbështetje nga ministrja Belinda Balluku, e cila ka firmosur për zhvillimin e projektit dhe ka dhënë "bekimin"  për realizimin e tij.

Banorët janë të vendosur që të luftojnë çdo përpjekje për ndërtimin e HEC-it, duke e konsideruar këtë projekt një shkatërrim të panoramës natyrore dhe të mundësive për të ardhurat e tyre.

Ata kërkojnë një llogari të plotë nga kryebashkiaku dhe autoritetet për këtë vendim, që sipas tyre është një krim ndaj fshatit dhe jetës së tyre.

"Na ka marrë kryetarja në qafë, po na detyron ta bëjmë këtë çështje politike. Ju po na shkatërroni të ardhmen, po bëni krim ndaj jetës sonë!" - thanë banorët gjatë protestës.

Ata janë të vendosur të vazhdojnë me protestën dhe të kërkojnë ndalimin e këtij projekti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco