Kush është krahu i djathtë i 'Rrumit të Shijakut' që ra në pranga në Durrës

Kush është krahu i djathtë i 'Rrumit të Shijakut' që ra në pranga në Durrës

09:50, 16/04/2024
A+ Aa A-

Një prej pengmarrësve të dy vëllezërve Beqiraj në vitin 2022 ka rënë në pranga. Agron Bejdolli, i shpallur në kërkim, u arrestua nga Sektori i Krimeve të Rënda në Durrës. Bejdolli është krahu i djathtë i Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe edhe si ‘Rrumi i Shijakut’. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata morën peng dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj më 2 tetor 2022.

Ndaj Bejdollit ishte caktuar masa ‘arrest me burg’ për akuzën “heqje e paligjshme të lirisë (pengmarrje)” në bashkëpunim me Rrumin e Shijakut. Për këtë ngjarje kriminale rezulton i shpallur në kërkim edhe vetë Aleksandër Laho. Bejdolli u kap në shtëpinë e një kushëriri të tij në Spitallë të Durrësit. 

Dy vëllezërit Beqiraj u morën peng më 2 tetor 2022 në autostradën Tiranë-Durrës. Dy vëllezërit po udhëtonin nga Durrësi në drejtim të Tiranës, kur një automjet u ka prerë rrugën pranë mbikalimit të Maminasit. Fillimisht ata janë konfliktuar fizikisht me 4 personat që ndodheshin në mjet, një prej tyre Agron Bejdolli që u arrestua sot. Indrit Beqiraj u mbajt peng për disa minuta dhe autorët e lëshuan pasi kishin ecur rreth 500 metra. Dy vëllezërit më pas kanë shkuar në komisariat.

Ditën që Indrit Beqiraj u mor peng bashku me të vëllanë, ishin nisur të vrisnin dy shtetasit S.Z. dhe I.H.

Porosia për këtë vrasje është dhënë nga Flamur Bejko, efektiv burgjesh, i cili kishte konflikt me shtetasit që do të vriteshin. Për këtë krim, polici i burgjeve kishte parapaguar 3500 euro, ndërsa vëllezërit Beqiraj kishin siguruar mjetet për realizimin e ngjarjes, konkretisht 4 kg eksploziv si dhe një armë zjarri automatik, të cilat u gjetën dhe sekuestruan gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e policisë, të hënën e 3 tetorit 2022 pas pengmarrjes.

Dëshmia e dy vëllezërve Beqiri zbuloi rrjetin e vrasësve me pagesë dhe disa ngjarje, ndërsa 15 persona ranë në pranga në tetor 2022. Pas dëshmisë së tyre, u zbardh edhe atentati në Don Bosko më 4 janar 2022, ku u vra gabimisht Erion Çela dhe u plagosën 4  të tjerë.

Me porosi të Kasandër Nogës (i arrestuar në Belgjikë) do vritej Geron Hasanbelliu për shkak të një hasmërie të vjetër. Kevin Zeneli (Suçi) dhe dy të tjerët ngatërruan objektiv. Për këtë atentat Kasandër Noga kontaktoi vëllezërit Beqiri, por ata u tërhoqën nga frika.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco