SPAK i komunikon akuzat ish-prokurorit të Kukësit, ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri dhe biznesmenit Pëllumb Gjoka!

SPAK i komunikon akuzat ish-prokurorit të Kukësit, ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri dhe biznesmenit Pëllumb Gjoka!

09:50, 16/04/2024
A+ Aa A-

Ndonëse u konsiderua si një prej operacioneve më të bujshme në vend, edhe pse shumica prej anëtarëve të grupit kriminal u larguan jashtë vendi, “Metamorfoza” po shkon drejt mbylljes së hetimeve.

Biznesmeni i njohur, Pëllumb Gjoka; ish-kryepolici i Operacionales Oltion Bistri; ish-prokurori Kukësit, Xhevahir Lita, ish-punonjësi i policisë, Ardit Hasanbegaj dhe kreu që menaxhonte këta persona, Behar Bajri, do të përballen me gjykimin mbi një mori akuzash të rënda, që SPAK i ka dokumentuar përgjatë fazës së hetimit.

Ajo që bie në sy lidhet me faktin që ish-prokurori Lita nuk do të hetohet si pjesëtar i organizatës kriminale, po ashtu edhe Oltion Bistri, ish-kreu i Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, nuk do të dënohet për “shpërdorimin e detyrës”, por SPAK thotë se ai ka dekonspiruar operacione. Po ashtu, Bistri do të gjykohet edhe për pastrim parash, pasi pak javë më parë SPAK gjurmoi pasuritë e ish-kryepolicit të Operacionales.

KOMUNIKIMI I AKUZAVE

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka bërë me dije se është drejt mbylljes së hetimeve ndaj anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, që qendrën e kishte në Shkodër, por disa prej elementeve më funksionalë të grupit vepronin edhe në Tiranë e madje afër kupolës së Policisë së Shtetit.

Burimet zyrtare nga SPAK saktësojnë se ka nisur komunikimin e akuzave për personat nën hetim, ku deri më tani mësohet se është bërë për biznesmenit Pëllumb Gjoka, për ish-shefin e Operacionales Oltion Bistri, të cilit në këtë fazë i është hequr akuza për shpërdorim detyrës, teksa akuzohet vetëm për korrupsion. Gjithashtu, pjesë e dosjes është edhe ish-zyrtari i policisë, Ardit Hasanbegaj, cili dyshohet se ndihmoi anëtarët e fisit Bajri në planin e vrasjes së Ibrahim Licit dhe Dorjan Dulit. Për ish-prokurorin e Shkodrës, njëherësh ish-drejtues i akuzës në Kukës, Xhevahir Lita, ka rënë akuza për grup kriminal, teksa akuzohet për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit hetimor.

Vijimi i komunikimit të akuzës po bëhet së fundmi për anëtarët e tjerë të grupit që ranë në pranga. Ndërkohë për personat që ende ndodhen në kërkim mes tyre edhe Ervis Martinaj, SPAK ka veçuar hetimin. Mësohet se prokuroria ka nisur letërporosi rreth disa detajeve shtesë të zbuluara gjatë hetimeve dhe bisedave që kanë kryer anëtarët e grupit përmes aplikacioneve “Encro Chat” dhe “SKY ECC”. Zbërthimi i aplikacioneve zbuloi vrasjen e Gjon Boriçit në Vaun e Dejës, planin e vrasjes së ish-policit të burgjeve, Kleanth Musabelliun për interes të Pëllumb Gjokës dhe një sërë atentatesh të tjera. Gjithashtu, Astmer Bilali me bashkëpunëtorët e tjerë tentuan dhe siguruan kushte për të vrarë Dorjan Dulin, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin me porosi të biznesmenit Pëllumb Gjoka.

PËRGJIMET NË DOSJE

Vetë SPAK në morinë e hetimeve që publikoi në media përgjatë hetimeve të grupit kriminal, ku ishin përfshirë funksionarë të lartë të sistemit të drejtësisë, tregoi se nga dosja e “SKY” zbardhej edhe më shumë roli i drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, i cili akuzohet se ka nxjerrë nga burgu dhe bashkëpunonte ngushtë me Behar Bajrin.

Në dosje u tha më herët se ka përgjime, të cilat i përkasin kohës kur Lita ishte ende prokuror në Shkodër dhe nuk ishte transferuar. Këtij i referohen me emrin “Xhev”. Lita njofton Bajrin se Astmer Bilali ishte shpallur në kërkim dhe i çon mesazh ku i shkruan:

“Ka dalë në kërkim, me Shehu… se po ta kapin… deri në tetor krynë punë…”.

Ndërkohë më datë 28.07.2020, prokurori njofton Bajrin që të shkojë te një lokal ku kishin drekuar së bashku: “Kam lënë syzet aty… ku hëngra bukë poshtë…”. Po në vitin 2020 i shkruan Bajrit dhe i premton se dosjen “Drini” do ta mbyllë ai, por pa u transferuar, pasi nëse ndodh e kundërta, askush tjetër nuk mund ta bëjë.

“Desha ta mbyll unë, se mund të transferohem dhe ngel pastaj e nuk ta bën kush. Problemi është më shumë tek ai që është në Itali se ai ka bërë aplikimin… se ty po ta kaloj… nuk është punë telefoni… duhet me dhënë deklarim… të shikojë mundësinë që të vij…”.

Ndërkohë Bajri, me kodin TIV9E3 e njofton se nesër do e marrë në telefon dikush dhe po ia pret biletën “Drinit”, por nuk e sqarojnë edhe më gjatë se çfarë kërkojnë dhe pse. Sakaq, konkretisht më datë 17.10.202, prokurorit Lita i ka ardhur një dosje në emër të ‘Gent Vaso’, ndërsa pyeste Bajrin për faktin nëse e njihte apo jo. Ky i fundit i kthen përgjigje, ndërsa i sugjeron dhe se si të veprojë, duke ia kthyer masën e sigurimit ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’.

Dyshohet se biseda e bërë nga Behar Bajri (Brajoviq) nënkupton që ofrohen para në rast të caktimit të masës së sigurimit ‘detyrim paraqitje’, ndërsa i sugjeron prokurorit që të takohet me vëllain e Vasos. Më pas, prokurori i dërgon një mesazh Bajrit për rastin e ‘Drinit’. “Edhe këtë të atij, përtej të mos e lë mbas dore t’i vihemi e ta bëjmë se nuk është e lehtë…. T’i pyesim njerëzit dhe të bëjmë siç duhet, se mund të lëviz pz dhe nuk e bën kush…”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco