Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar paraditen e kësaj të diele (26 nëntor) se qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset e vendit.
ARRSH gjithashtu u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe nëse kalojnë në segmente që kanë prezencë dëbore, të përdorin zinxhirë.
Njoftimi i ARRSH:
Njoftim mbi gjendjen e akseve rrugore
Gjatë orëve të natës dhe në mëngjes, intensiteti i reshjeve ka rënë në të gjithë territorin
Temperaturat kanë qenë në ulje deri në -6 në zonat malore
Grupet e punës të mirëmbajtjes kanë punuar pa ndërprerje në të gjitha akset me prezencë dëbore për pastrimin, zgjerimin dhe evitimin e ngricave
Qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset nacionale
Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
© SYRI.net