Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Denoncim tjetër për Hajdarin/ që ka bërë Lefter Maliqi paraqitet në SPAK

Denoncim tjetër për Hajdarin/ që ka bërë Lefter Maliqi paraqitet në SPAK

11:06, 14/11/2023
A+ Aa A-

Lefter Maliqi është paraqitur këtë të martë pranë ambiente të SPAK, ndërsa njoftohet se pas daljes nga ambientet e prokurorisë do të japë një deklaratë për mediat për kryebashkiakun e Kuçovës që ka rezultur i dënuar.

Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, është thirrur edhe më herët në SPAK në cilësinë e kallezuesit.

Maliqi kundërshtoi rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë e Kuçovës dhe kallëzoi në SPAK pretendimet e tij për manipulimet e bëra. Në një deklaratë të dhënë më 19 maj, Maliqi tha se ka depozituar në SPAK faktet e dokumentuara për tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve.

I plotë:

KALLËZIM

Kallëzues:Studio Ligjore “Jurisprudenca” SH.P.K. me avokat Arben Llangozi dhe Orgesa Serani, meadresë:Njësia Bashkiake Nr. 9, Lagja  “Don Bosko”, Rruga “Muzaka”,  Kulla nr. 2,  Zyra  nr .7,  kati parë, Tiranë.

Lefter Maliqi, i biri i Novruzit dhe i Esmasë, i lindur me 10.02.1972 në Berat dhe banues në Kuçovë,

Objekti:Kërkojmë ndjekjen penale të shtetasit Kreshnik Hajdari, i biri i Rizait dhe Halimesë, lindur në Berat dhe banues në Kuçovë , i datlindjes 29.07.1982, me detyrë kryetar i bashkisë Kuçovë, për veprën penale të“Fallsifikimit të formularëve” të parashikuar nga neni 190 paragrafi 2 i kodit penal.

Baza Ligjore:Neni 281 e vijues i K.Pr.Penale

Drejtuar:Prokurorisë së Posaçme   për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Të Nderuar!

 Rezulton se shtetasi Kreshnik Hajdari ka kandiduarë në  zgjedhjet e zhvilluara në vitin 2023 si kandidat për Kryetar Bashkie  në bashkinë Kuçovë.  Për këtë, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” të ndryshuar, subjekti vedeklarues ka plotësuar më datë 26.03.2023 dhe dorzuar në datën 02.04.2023 pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve “Formularin e vedeklarimit”, regjistruar me numër unik BR-PS-17366.

Jemi vënë në dijeni të faktit se shtetasi Kreshnik Hajdari  në formulanirin e vedeklarimit pyetjes standarte  “A është marrë  ndonjëherë për ju masa e dëbimit  nga një shtet i huaj?”, Hajdari i është përgjigjur në kuadratin “JO” . Fakt ky i pavërtetë dhe e bën formularin e pastërtisë së Figurës  të falsifikuar.Pasi referuar  Kthim përgjigjes së Departamentit  të Policisë Kriminale  në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me shkresën nr. 2931/6 prot., datë 19.07.2023 informon për shtetasin Kreshnik Hajdari se ka marrë informacion nga Interpol Athina Greqi ku thuhet se :

- shtetasi i mësipërm është regjistruar më datë 27.03.2017 nga Security-Sub-Division of Jannina pasi është deportuar në Shqipëri.

Nëse i referohemi ligjit nr. 138/2015 “ Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, në nenin 5 Vetëdeklarimi dhe verifikimi i të dhënave 1. Personat e parashikuar nga nenet 2 dhe 3, të këtij ligji, duhet të plotësojnë e të nënshkruajnë një formular vetëdeklarimi, me anë të të cilit deklarojnë mosekzistencën e shkaqeve për të kandiduar, për të mos u zgjedhur ose emëruar. 2. Refuzimi për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit ose mosparaqitja e formularit të vetëdeklarimit përbën shkak për mosregjistrimin e kandidatit në zgjedhje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo për mosemërimin nga organi përgjegjës sipas ligjit. Modeli i formularit të vetëdeklarimit miratohet me vendim të Kuvendit. 3. Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji. Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal.

Veprimet kriminale të falsifikatorit Kreshnik Hajdari  janë të përsëritura, pasi Kreshnik Hajdari ka falsifikuar formularin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike  të vitit 2019, por gjithashtu edhe formularin e  vitit 2023.  Por nëse i referohemi kodit penal, dhe pikërisht nenit 190 të tij ku përcaktohet qartë se:  Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Vepra penale e falsifikimit është parashikuar në ligjin penal shqiptar dhe format e kryerjes së saj shpjegohen dhe nga fjalori i gjuhës shqipe. Falsifikimi manifestohet në dy forma, në falsifikimin “material” dhe në falsifikimin “intelektual” (ideologjik). Falsifikimi material konkretizohet me veprime të cilat ndryshojnë një realitet dokumentar, ndërsa falsifikimi intelektual (apo ideologjik) lidhet me përmbajtjen dhe jo me formën e dokumentit dhe konsiston në përpilimin e dokumentit nga ai që është autor i tij, por përmbajtja e të cilit nuk i korrespondon së vërtetës, duke përmbajtur të dhëna të rreme.

Kjo dispozitë (neni 190/1 i KP) është parashikuar në ligjin penal shqiptar, nën titullin: “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe parashikon se: “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet”. Nga ana objektive, kjo vepër penale, do të quhet e realizuar, nëse realizohet përmes dy formave: i. falsifikimit të vulave, stampave, formularëve (në mënyrë alternative ose kumulative) ose ii. përdorimit të tyre. Vepra penale e falsifikimit të vulave, stampave, formularëve, futet në kategorinë e veprave penale formale, që do të thotë se ajo quhet e konsumuar dhe për pasojë autori i saj do të përgjigjet penalisht, atëherë kur realizohet në njërën nga format e përmendura më sipër, pa pasur nevojë për ardhjen apo mundësinë e ardhjes së ndonjë pasoje. Midis veprimeve të autorit të veprës penale dhe falsifikimit të dokumenteve apo përdorimit të tyre, duhet të ekzistojë lidhja shkakësore në kuptimin që objekti i falsifikuar (vula, stampa, formulari) apo përdorimi i tij vjen ekskluzivisht dhe vetëm si rezultat i veprimeve të autorit. Nga ana subjektive, vepra penale e falsifikimit të vulave, stampave, formularëve, kryhet vetëm me dashje direkte, në kuptimin që autori i veprës penale e parashikon dhe e dëshiron falsifikimin apo përdorimin e dokumentit të falsifikuar, pra ka dijeni rreth falsitetit/pavërtetësisë së dokumentit që vë në përdorim.

Në rastin konkretë, Kreshnik Hajdari , ka  vepruar haptaz në kundërshtim me ligjin dhe për këtë arsye ka konsumuar element të veprës penale të parashikuar  nga neni 190 paragrafi 2 të Kodit Penl, arsye për të cilën  duhet të hetohet pasi veprimet e tij janë bërë me dijeni të plotë dhe ky është një fakt që e implikon atë në krim. Nëpërmjet qëndrimit të tij ka konsumuar të gjithë elementët e figurës së veprës penale. Hajdari ka cënuar marrëdhëniet juridike të vendosura me Kushtetutë dhe ligj, të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni penal, nga veprimet apo mosveprimet kriminale. Në lidhje me elementin intelektual te dijenisë për paligjshmërine e veprimeve apo mosveprimeve, nuk mund të konsiderohet  se kryetari i bashkisë nuk e njeh ligjin, te kuptonte se veprimet apo mosvveprimet e tij ishin në kundërshtim me ligjin.

Në Ligjin 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, në nenin 1 të tij, përcakton se: “Qëllimi i këtij ligji është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen të krimeve, sipas këtij ligji”. Ndërsa në nenin 5/3 të të këtij ligji përcaktohet se: “Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt sipas këtij ligji dhe deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara, përbën vepër penale sipas nenit 190 të Kodit Penal”.

Referuar përmbajtjes së formularit të vetëdeklarimit, i dalë në zbatim të ligjit nr. 138/2015, i miratuar me vendimin nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, subjektet deklarues që përcaktohen në këtë ligj kanë detyrim të pasqyrojnë në formular çdo dënim penal të formës së prerë të dhënë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj, pavarësisht llojit të veprës penale dhe llojit e masës së dënimit të dhënë. Madje në rubrikën “Marrje dijeni mbi efektet e formularit të vetëdeklarimit” (në pikën “b” të saj), parashikohet se: “Pasqyrimi i të dhënave të rreme në këtë formular përbën vepër penale dhe dënohet sipas nenit 190 të Kodit Penal.”.

Qëllimi i ligjvënësit, në miratimin e ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, lidhet me detyrimin ligjor të subjekteve të këtij ligji, për të deklaruar të dhënat e kërkuara, duke përcaktuar edhe se ku konsiston ky deklarim dhe duke e strukturuar atë në disa kërkesa specifike dhe për një kategori të përcaktuar veprash penale. Në këtë kuptim, të gjitha rregullimet, normimet e bëra në funksion të zbatimit të këtij ligji, të cilat mundësojnë zbatimin e tij, duhen konsideruar dhe interpretuar brenda qëllimit të vetë ligjit, pasi çdo interpretim ndryshe do të sillte denatyrimin të këtij qëllimi/vullneti të legjislatorit.

Detyrimi i caktuar ndaj subjekteve të ligjit, në formularin e vetëdeklarimit, është brenda frymës të vetë ligjit. Qënia i dënuar i subjektit të këtij ligji me vendim përfundimtar ose ndaj të cilit janë marrë masa sigurimi apo është dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen të krimeve të parashikuara nga vetë ligji nr. 138/2015, përbën shkak ndalues për zgjedhjen ose emërimin e tij në organet të zgjedhura shtetërore, institucionet e pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike etj, apo shkak për largimin e tij nga këto funksione publike. Ndërsa, mosdeklarimi fshehja, deklarimi i pasaktë ose i rremë nga subjekti deklarues, në formularin e vetëdeklarimit, të çdo dënimi të formës së prerë (të dhënë nga autoritet gjyqësore shqiptare apo të huaj), përbën paraqitje të rrethanave të rreme para organeve shtetërore, në kuptim të ligjit penal (nenit 190 i Kodit Penal).

Në rastin konkretë, provohet se  i kallzuari Kreshnik Hajdari, nuk ka deklaruar faktin se ndaj tij është marrë një masë deportimi, pra duke vendosur shenjën “X” në përgjigjen negative, në rubrikën e formularit të vetëdeklarimit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 138/2015, datë 17.12.2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe pikërishtë në përgjigje të pyetjes “A është marrë  ndonjëherë për ju masa e dëbimit  nga një shtet i huaj?”, Hajdari i është përgjigjur në kuadratin “JO” . Fakt ky i pavërtetë dhe e bën formularin e pastërtisë së Figurës  të falsifikuar.Pasi referuar  Kthim përgjigjes së Departamentit  të Policisë Kriminale  në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me shkresën nr. 2931/6 prot., datë 19.07.2023 informon për shtetasin Kreshnik Hajdari se ka marrë informacion nga Interpol Athina Greqi ku thuhet se :shtetasi i mësipërm është regjistruar më datë 27.03.2017 nga Security-Sub-Division of Jannina pasi është deportuar në Shqipëri.

I  kallzuari  si subjekt i ligjit nr. 138/2015, ka përpiluar një dokument/formular vetëdeklarimi, paraqitja e të cilit pranë institucioneve të parashikuara në ligj, i jep udhë fillimit të një procedure të mëtejshme verifikimi dhe vlerësimi. Ai ka pasur detyrimin për të deklaruar me vërtetësi çdo të dhënë të kërkuar në formularin e vetëdeklarimit, por në fakt ka paraqitur të dhëna të pavërteta, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

I Kallzuari Kreshnik Hajdari  megjithëse e ka ditur detyrimin ligjor dhe qëllim e ligjit e shprehur që në nenin 1 të tij, ka plotësuar formularin me të dhëna që nuk janë të vërteta. Pavarësisht “justifikimit të të kallzuarit” se “e ka kuptuar pyetjen gabim”, se “është shtënë në lajthim” apo se ka “besuar se  deportimi nuk ishte detyrim për t’u deklaruar” rezulton se pyetja  është e qartë dhe e kuptueshme, e shprehur në termin “A është marrë  ndonjëherë për ju masa e dëbimit  nga një shtet i huaj?”.Pra, pavarësisht kohës i kallzuari si subjekt që përmban detyrimin për deklarim ka patur detyrimin për plotësimin e çdo rubrike me saktësi dhe duke pasqyruar informacion real. Gjithashtu i kallzuari  nëpërmjet deklaratës së nënshkruar në faqen 2 të formularit është paralajmëruar se pasqyrimi i të dhënave të pavërteta përbën vepër penale dhe dënohet sipas nenit 190/1 i K.Penal ...”.

Në këtë qëndrim ka dal edhe Gjykata e Lartë në një rast analog me vendimin Nr. Nr. 00-2023-1569 i Vendimit (215), datë24.07.2023.

Përpos faktit që kërkojmë ndjekjen penale të  shtetasit Kreshnik Hajdari,  për veprën penale të“Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 paragrafi 2  i K.Penal, kërkojmë edhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest ne burg” .

Referuar  nenit 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale, në përzgjedhjen e llojeve të masave personale shtrënguese apo masave ndaluese duhet të mbahet parasysh:Përshtatshmëria e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit;Rëndësia e faktit;Sanksioni që parashikohet për veprën penale konkrete.Vazhdimësia, përsëritja, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parashikuara nga Kodi Penal.

Në rastin konkretë  referuar veprës penale , rrezikshmërisë së personit nën hetim, rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale  për të cilën akuzohet shtetasi Kreshnik Hajdari, si dhe faktit të ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm se e ka kryer veprën penale, përsëritjes së kësja vepre penale,   plotësohen kushtet që nga ana e prokurorisë të kërkohet masa  shtrënguese ajo e “arrest në burg”.

Vepra penale për të cilat dyshohet personi nën hetim paraqet rrezikshmëri relativisht të lartë shoqërore, pasi cënon marrëdhënie juridike të rëndësishme që gëzojnë mbrojtje të posaçme juridike të marrëdhënieve për të siguruar veprimtarinë e rregullt të administratës publike, të organizatave, partive politike, ndërmarrjeve, firmave, shoqatave të mbrojtura posaçërisht me legjislacionin penal nga veprimet ose mosveprimet kriminale.Objekti material i krimit mund të jenë dokumente zyrtare apo private të ndryshëm, përveç atyre që parashikohen në nenet 190 “Falsifikimi i dokumenteve shkollor”, 188 “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësor”; 189 “Falsifikimi I letërnjoftimeve, I pasaportave ose i vizave”; 190 “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe 191 “Falsifikimi i akteve të gjendjes civile” të Kodit Penal. Rrezikshmëria e personit nën hetim shihet kryesisht në raport me rrezikshmërinë e veprës, por edhe me personalitetin e tij. Mënyra e kryerjes së veprës, vendi në të cilin është realizuar, vendi ku është përdorur, qëllimi për të cilin është përdorur, janë elemente të cilat duhet të merren në konsideratë në përzgjedhjen dhe caktimin e masës shtrënguese të përshtatshme.

Pra, çmojmë  të theksojmë fillimisht se masat e sigurimit personal që kufizojnë të drejtat dhe liritë e personit ndaj të cilit zhvillohet procedimi penal, mund të caktohen vetëm kur ekzistojnë dhe provohen kushtet dhe kriteret e përcaktuara me ligj. Këto kushte dhe kritere, të parashikuara në nenin 5 të KEDNJ, janë materializuar edhe në nenin 27 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kështu, sipas dispozitës së sipërcituar, një ndër rastet se kur liria e personit mund të kufizohet, i referohet rastit kur ka dyshime të arsyeshme se personi ka kryer një vepër penale, ose për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj, të materializuara edhe në ligjin procedural penal, konkretisht në nenin 228 dhe 229 të K.Pr.Penale për masat e sigurimit në përgjithësi.Në vijim të kësaj analize, në pikën 1 dhe 2 të nenit 228 të K.Pr.Penale, sanksionohen kushtet epërgjithshmeqë duhen mbajtur  në caktimin e masës së sigurimit, të cilat janë përkatësisht ekzistenca edyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova ose elementi provues(fumus commisi delicti), ekzistenca e veprës penale dhe ekzistenca e kushteve të dënueshmërisë sipas së drejtës penale. Këto tre kushte duhet të ekzistojnë në mënyrë kumulative, pasi në qoftë se mungon njëri prej tyre atëherë, nuk mund të caktohet masë sigurimi ndaj personit.

Në lidhje me kushtin e parë, duhet theksuar  fillimisht se askush nuk mund t`i nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se, në ngarkim të tij, nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova. Dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, sipas pikës 1 të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale, nënkupton ekzistencën e elementëve të mjaftueshëm juridikë dhe të rrethanave të faktit që  krijojnë bindje në drejtim të mundësisë që, jo vetëm se vepra penale është kryer, por dhe në drejtim të mundësisë se kjo vepër penale është kryer nga personi ndaj të cilit do të vendoset masa e sigurimit, çka do të thotë se kërkohet detyrimisht përgjegjësia e personit që akuzohet. Në këtë pikë, theksojmë se dyshimi konsiderohet i arsyeshëm vetëm nëse bazohet në fakte dhe në informacione të cilat krijojnë bindjen se ekziston një lidhje objektive midis personit të dyshuar për kryerjen e veprës penale dhe vetë veprës penale për të cilën ai akuzohet. Po ashtu, theksojmë se, në një kohë që në fazën e caktimit të masës së sigurimit nuk mund të pretendohet ekzistenca e provave të plota që të mund të vërtetojnë akuzën, pasi një nivel i tillë provueshmërie i takon gjykimit të themelit të çështjes, është e nevojshme ekzistenca e provave të mjaftueshme për të justifikuar caktimin e masës përkatëse të sigurimit personal.

Në  rastin konkret, dyshimi i arsyeshëm është i mbështetur në prova të një natyre të tillë që, në gjendjen në të cilat ato ndodhen, prej tyre mund të nxirren përfundime se ndaj këtij shtetasi ekziston një shkallë e arsyeshme mundësie fajësie, për kryerjen prej tij të veprës penale  të parashikuar nga neni 190 të K.Penal, referuar faktit se vendimi penal i Gjykatës së Janinës është i formës së prerë, është marrë në prezencë të tij si dhe është pajisur me vulë apostile, apo më saktë Apostille (fjalë belge)  e cila nuk është tjetër veçse një vulë e standardizuar në përmasa e përmbajtje nga  Konventa e Hagës. Shqipëria është anëtare e Konventës së Hagës “Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja” të 5 tetorit 1961.Në bazë të kësaj Konvente, dokumentet pajisen me një vulë Apostille nga autoriteti kompetent i vendit ku janë lëshuar dhe më pas mund të përdoren direkt në institucionin përkatës (Gjendje civile, gjykatë, institucion arsimor, etj.) të vendit pritës.Pra,  Legalizimi është procedura e njohjes së rregullshmërisë së dokumentit të huaj. Për këtë diplomatët konsullorë konfirmojnë funksionarin përgjegjës dhe institucionin, përkatësisht duke vërtetuar nënshkrimin dhe vulën.

Në lidhje me kushtin e dytë të nevojshëm për caktimin e masës së sigurimit personal, e konkretisht ekzistencën e veprës penale, theksojmë se përveç dyshimit të arsyeshëm, është e nevojshme të konstatohet që fakti konkret të jetë parashikuar nga ligji si vepër penale. Në rastin konkret, rezulton se veprimet e dyshuara se janë kryer nga shtetasi Kreshnik Hajdari përbëjnë vepër penale, e konkretisht element të veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190  paragrafi 2 i K.Penal Sa i takon kushtit të tretë të nevojshëm për caktimin e masës së sigurimit personal ai i referohetekzistencës së shkaqeve të dënueshmërisë së personit ndaj të cilit caktohet masa e sigurimit. Nuk mund të caktohet masë sigurimi ndaj një personi që nuk mund të merret si i pandehur, ose nuk mund të dënohet. Në vlerësim të plotësimit të këtij kushti, konkludohet se shtetasi Kreshnik Hajdari është madhor, i përgjegjshme   para ligjit .  Pë këtë arsye mendojmë  se ndaj  shtetasit Kreshnik Hjadari  duhet të caktohet masa e sigurimit personal “arrest ne burg”

Për sa më sipër,

Kërkojmë

Ndjekjen penale të shtetasit Kreshnik Hajdari, i biri i Rizait dhe Halimesë, lindur në Berat dhe banues në Kuçovë , i datlindjes 29.07.1982, me detyrë kryetar i bashkisë Kuçovë, për veprën penale të“Fallsifikimit të formularëve” të parashikuar nga neni 190 paragrafi 2 i kodit penal.

KALLZUES

Studio Ligjore “Jurisprudenca”, Lefter Maliqi

Avokat Arben Llangozi 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco