Dëshmia tronditëse: Laerti vrau kushëririn e tij, Fridmani na u lut në gjunjë

Dëshmia tronditëse: Laerti vrau kushëririn e tij, Fridmani na u lut në gjunjë

10:04, 30/09/2023
A+ Aa A-

Vrasja e Fridman Xhaferajt, në 2 qershor 2023 në Korçë, është një nga krimet më shtazarake të kryera nga Laert Haxhiu dhe banda e tij me bazë veprimi në Lushnjë, Pogradec dhe Korçë.

Fridmani sapo kishte dalë nga burgu i Peqinit, teksa akuzohej për djegien e një makine në Lushnjë, porosi që ishte dhënë nga kushëriri i tij, Laert Haxhiu. Xhaferaj dhe Haxhiu nuk ishin thjesht dy të njohur në Lushnjë, por ata janë kushërinj mes njëri-tjetrin.

ORA NEWS ka zbardhur pjesë nga dëshmia e Artan Tafanit, ku thuhet se brenda 24 orëve, grupi i Laert Haxhiut ka kryer dy vrasje. Njërën në Tepelenë, duke ekzekutuar në derë të shtëpisë tregtarin Çajup Selimin dhe tjetrën në Korçë, duke vrarë me plumb në kokë dhe më pas hedhur në rezervuarin e Gjançit, trupin e Fridman Xhaferajt.

Për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Artan Tafani, vrasja e Fridman Xhaferaj, ka qenë më e rënda dhe shtazarakja. Kjo vrasje ka lënë shenja tek ai, duke besuar se Laert Haxhiu tashmë ishte kthyer në bishë, një njeri me paranoja që ishte i gatshëm të vriste këdo nga grupi i tij, nëse dyshonte se mund ta tradhtonte. Vrasja e tij në Korçë është kryer vetëm sepse Xhaferaj në një moment e kishte kërcënuar kushëririn e tij Laertin, se nëse ky i fundit nuk e ndihmonte për ta nxjerrë nga burgu i Peqinit, Fridmani do fillonte të fliste në polici dhe prokurori, për vendndodhjen e të kërkuarit Laert Haxhiu dhe krimet e tij.

“…Kërcënimi apo shantazhimi se Fridmani do fliste në burg, nëse Laerti nuk e ndihmonte, nuk është pritur mirë nga Haxhiu. Këtë mesazh, Fridmani ia kishte çuar kushëririt të tij, përmes avokatit që shkonte çdo muaj e takonte në burg. Avokati ia ka përcjellë Laert Haxhiut dhe që në këtë moment, ai ka filluar të dyshojë mbi besnikërinë dhe qëndrueshmërinë e Fridmanit. Në këtë moment Laerti ka filluar të bëjë plane dhe të flasë për ndëshkimin e tradhtarëve, ndërsa shprehej se kushëriri i tij i kishte ulur reputacionin… Fridmani kishte rënë në burg për djegien e një makine”, tregon bashkëpunëtori i prokurorisë.

Përmes lidhjeve të tij, Laert Haxhiu arrin të ndryshojë në gjykatën e Lushnjës masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për Fridman Xhaferajn. Pas daljes së Fridmanit nga burgu, Laert Haxhiu filloi të vërë në zbatim planin për vrasjen e tij. Në këtë vrasje kanë marrë pjesë Laert Haxhiu, Artan Tafani, Lulzim Spahija, Ligor Romaçka (Golja), Mariglen Topuzi, Bledar Berberi, vëllai i “Koros” dhe Idriz Manej nga Shkodra me nofkën “Gjyshko”. Sipas të penduarit, vrasja është kryer në një vend tjetër, ndërsa trupi i pajetë është hedhur në rezervuarin e Gjançit në Korçë.

“…Fridman Xhaferaj, para se të vritej është rrahur… Laerti së bashku me ne, i kërkonim llogari nëse kishte folur dhe pse kishte shantazhuar dhe kërcënuar nga brenda burgut. E kemi goditur disa herë. Kur e vramë, ai kishte rënë në gjunjë, ndërsa dy persona e tërhiqnin nga të dy krahët. Fridmani pa pistoletat dhe filloi të ushtronte forcë për t’u larguar, por s’mund të lëvizte se dy veta e mbanin me forcë nga krahët. Ai i ka kërkuar falje Laertit, është përgjëruar dhe lutur të mos e vrisnin, në këtë moment është qëlluar me plumb pas koke. Për shkak se Fridmani ka lëvizur kokën shumë shpejt, plumbi i ka shkaktuar një të çarë, por i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Me makinë e kemi transportuar në Gjanç, ku trupin e pajetë e hodhën në rezervuar…”, ka treguar Artan Tafani.

12 ditë pas vrasjes së Fridman Xhaferajt, uji i rezervuarit nxori në sipërfaqe trupin e pajetë të 25-vjeçarit. Kalimtarët e rastit njoftuan policinë, e cila nisi hetimet. Për këtë ngjarje në vitin 2021, u arrestua Lulzim Spahija dhe Kristi Bixheku, të cilët ende dhe sot vijojnë të jenë në burgun e Drenovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco