‘Piranjat’ i japin çmimin nga rekordet ‘GUINNESS’, drejtorit abuzues në Korçë

21:52, 15/09/2023
A+ Aa A-

Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Korçës, Ilir Dinellari, ka thyer një rekord në detyrën e titullarit më të lartë të këtij sektori. Ai ka harxhuar 3.063.534 lekë benzinë në vetëm një vit e gjysëm.

Abuzimi skandaloz i Bashkisë së Korçës është publikuar në raportin zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit në shtatorin e 2021. Auditimi për periudhën kohore 2020-2021 nxori në pah këtë shkelje të rëndë nga ana e drejtorit Dinellari.

Nga auditimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion mbi normativat e harxhimit të karburantit rezultoi se për vitin 2020-2021, NSHP, Bashkia Korçë, nuk ka bërë analiza për shpenzimin e karburantit për automjetet që ka në përdorim. Fletë udhëtimet nuk pasqyrojnë volumet e punëve të kryera, por vetëm km e përshkruara, nuk janë nënshkruar nga nëpunësi urdhërues.

Daljet e karburantit nga magazina janë prerë në fund të muajit kjo referuar furnizimeve sipas sistemit të furnizimit me kartë. Bashkëlidhur fletëdaljes është fletë kërkesa dhe urdhër dorëzimi të cilat mbajnë datën e flet daljes pra është bërë në fund të muajit dhe jo në kohën kur është kryer furnizimi, bashkëlidhur nuk ka dokumentacion si: plan pune për sasinë e karburantit që tërhiqet nga magazina, nuk ka preventiv për volume punimesh që do kryhen, nuk ka situacion punimesh, pra dokumentacioni për argumentimin e konsumit të karburantit mungon.

Pra, karburanti i shpenzuar është ‘justifikuar’ vetëm në fund të muajit, gjatë kohës që makinat bënin maratona botërore me kilometra. 

Sipas raportit të kontrollit të larte të shtetit: ‘U konstatua se janë bërë dalje për mjetin Autoveturë, Tipi Benz, me targa AA 585 CB, 9200 litraBenzinë me vlerë 1,298,440 lekë, nga auditimi i dokumentacionit rezultoi se ky mjet është përdorur për lëvizjet e Drejtorit të NSHP, pa autorizim apo urdhër të titullarit, për shërbime sipas një programi të miratuar. Sipas fletudhëtimeve mjeti është përdorur vetëm nga Drejtori i Ndërmarrjes.

Për mjetin Autoveturë, Tipi Benz, me targa AA 585 CB, janë bërë dalje nga magazina 9370 litraBenzinë me vlerë 1,547,170 lekë, nga auditimi i dokumentacionit flet udhëtimeve rezultoi se ato janë plotësuar dhe firmosur për lëvizjet e kryera nga vetë Drejtori i Punëve Publike të Qytetit, pa autorizim apo urdhër të titullarit, për shërbime sipas një programi të miratuar.

Sipas fletudhëtimeve mjeti është përdorur vetëm nga Drejtor i Punëve Publike të Qytetit. Për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor 2021, për mjetin Autoveturë, Tipi Benz, me targa AA 585 CB, janë bërë dalje nga magazina 1204 litra me vlerë 217,924 lekë, rezulton se fletë udhëtimet në lidhje me harxhimin e karburantit nuk janë firmosur për lëvizjet e kryera.

Me procesverbal është miratuar përdorimi i sasisë së karburantit për këtë sasi, sa më sipër përdorimi i mjeteve dhe konsum i karburantit për sasinë 18 569.8 litra me vlerë 3,063,534 lekë përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë. Drejtorë të tillë, do t’i kishte zili dhe Phileas Fog, personazhi kryesor i Zhyl Vernit në librin “Rreth botës për 80 ditë”.

Një shkelje e tillë konsiderohet e një rëndësie të lartë, madje urdhërohet “Kryetari i Bashkisë Korçë në bashkëpunim me Drejtorinë Juridike të nxjerr urdhër zhdëmtimi të karburantit me vlerë 3,063,534 lekë, duke ndjekur të gjitha rrugët administrative e ligjore në të gjitha shkallët për arkëtimin nga personat përgjegjës.

‘Maratonomaku’ Dinellari vazhdon të jetë drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Korçës dhe vijon punën i pashqetësuar, pavarësisht rekomandimeve të bëra nga ana e KLSH-së.  Prandaj, ne shkojmë drejt Korçës për ta përballuar me akuzat dhe për të marrë përgjigjet e munguara.

‘Nuk kam bërë asnjë shkelje, jeni ju gabim. Jam krejtësisht në rregull, merrni përgjigjet e duhura nga Bashkia e Korçës, mos hajdeni këtu të më bëni presion. Tani dilni, nuk ju jap asnjë përgjigje’.

Drejtori Ilir Dinellari dukej i bindur se arsyetimi i tij në Bashkinë e Korçës kishte qenë i duhuri për paratë e shpërdoruara. Ashtu siç e kërkoi dhe ai, bëmë një kërkesë zyrtare drejt këtij institucioni për ta sqaruar se çfarë masash janë marrë.

Përgjigjja zyrtare e Bashkisë Korçë i vendos pikat mbi ‘i’ mbi rekordin e verifikuar.  ‘Të bëhet analiza për shpenzimin e karburantit për automjetet që ka në përdorim. Fletë udhëtimet të pasqyrojnë volume e punëve të kryera dhe km e përshkruara, të cilat do të firmosen nga nënpunësi urdhërues. Automjetet të lëvizin sipas një plani të miratuar nga titullari i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike. Shkelje administrative dhe me urdhër të Kryetarit të Bashkisë ndaj drejtorit të NSHP është marrë masa disiplinore ‘Vërejtje’.’

Pasi kemi shuar çdo dilemë kthehemi dhe dorëzojmë çmimin e rekordeve ‘Guinness’ për drejtorin. Pritja që bëhet është shumë e mirë, por nuk mund të thuhet kështu për kryetarin e Bashkisë, Sotiraq Filo, kur e vëmë në dijeni për fitimin e çmimit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco