‘Gjasat janë të mos ketë dënim fare’/ Dhuna barbare në Krujë, si po i shpëton prokuroria anëtarët e fisit Rraja

‘Gjasat janë të mos ketë dënim fare’/ Dhuna barbare në Krujë, si po i shpëton prokuroria anëtarët e fisit Rraja

17:18, 11/09/2023
A+ Aa A-

Prokuroria e Tiranës ka ndryshuar akuzën ndaj anëtarëve të fisit Rraja, disa prej tyre të arrestuar dhe disa në kërkim për sulmin barbar ndaj dy anëtarëve të fisit Maja në Borizanë në fillim të muajit korrik.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se referuar këtij akti ekspertimi, ka gjasa që kjo çështje penale shumë shpejt të pushohet dhe anëtarët e fisit Rraja t’i kthehen jetës normale.

“Sipas aktit, thuhet se nëpërmjet të dhënave të akt ekspertimit ligjor, në trupin e shtetasit Jashar Maja u shkaktuan dëmtime jo të rrezikshme për jetën, kanë sjellë paaftësi në punë për 9 ditë.

Dhe për Bilbil Majën e njëjta gjë. Mbështetur në kriterin mjekësor dëmtimet e tyre e klasifikojnë veprën penale si plagosje e lehtë me dashje.

Gjasat janë që të mos ketë dënim fare për personat përgjegjës.

Prokuroria deklaron se personat nën hetim Flamur dhe Xhelal Rraja kanë pasur dhe armë dhe prej tyre janë konsumuar vepra penale e kanosjes. Por sipas prokurorisë dhe për këtë vepër penale, nuk mund të ketë hetim kryesisht por duhet kallëzim nga personat e dëmtuar.

Nëse Jashar dhe Bilbil Maja nuk ankohen, prokuroria është e detyruar të pushojë hetimin.

Për plagosje të lehtë me dashje dënimi është nga gjobë deri në 22 vite burgim.

Ka dhe një detaj tjetër, në dukje i parëndësishëm. Në rastin konkret, duke qenë se pritet dhe dalja e amnistisë, dhe nëse ka ankim nga kushërinjtë Maja ata do të lirohen.

Ajo që mbetet e paqartë është se i gjithë sulmi ndaj tyre është konsideruar i parrezikshëm nga ana e prokurorisë.

Prokuroria e konsideron vetëm si kanosje mbajtjen në duar të armëve nga ana e Rrajave dhe shihet vetëm si kundravajtje penale. Vetëm nëse do të kishin akuzën e plagosjes së rëndë me dashje do të kishte një dënim më të rëndë dhe është e paqartë se si është kualifikuar nga ekspertët sulmi”, raportoi gazetarja Lala.

 

Kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja u dhunuan barbarisht nga anëtarë të fisit Rraja pas protestave të tyre kundër guroreve dhe shpërthimeve të kryer nga kompania e Rrajave në Borizanë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco