Del autopsia/ Klajdi Bitri humbi jetën menjëherë nga goditja me shtizë

Del autopsia/ Klajdi Bitri humbi jetën menjëherë nga goditja me shtizë

11:03, 30/08/2023
A+ Aa A-

Dëmtimi në zemër dhe mushkëri i ka marrë jetën Klajdi Bitrit, 23-vjeçarit shqiptar të vrarë në Itali me një shtizë peshkimi pasditen e së dielës, teksa po përpiqej të mbronte një shokun e tij italian.

Kështu ka rezultuar nga autopsia e kryer dje nga mjekja ligjore e emëruar nga prokuroria e Ankonës.

Autoritetet thonë se vdekja e të riut shqiptarë ka qenë e menjëhershme, ndërsa goditja ka qenë ballore. Autopsia konkludon se plaga në zemër dhe thellësia e goditjes përputhet me shtizën që gjetën karabinierët, së bashku me pushkën, në momentin kur arrestuan vrasësin algjerian, Melloul Fatah.

Ky i fundit, aktualisht në paraburgim për vrasje të rëndë për arsye të dobëta, pritet të dalë para gjykatës për të mësuar masën e sigurisë.

27-vjeçari algjerian, i cili kishte vetëm 3 muaj që kishte marrë shtetësinë italiane, shokoi komunitetin kur u mësua se pas vrasjes shkoi në plazh me të fejuarën, ku edhe u prangos nga policia.

Në deklarimin e parë para prokurorit, avokati i algjerianit ka thënë se klienti i tij nuk e kishte menduar se kishte vrarë dikë dhe se gjithçka ka ndodhur në moment. Ende nuk është nën hetim zyrtar e fejuara e algjerianit, e cila pa gjithçka ndodhi. Edhe ajo është dëgjuar nga prokurori, si person që ka dijeni për faktet, dhe ka deklaruar se edhe ajo nuk e kishte kuptuar që 27-vjeçari kishte vrarë një person.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco