SYRI TV/ E premte tragjike, nga mbytjet te aksidentet rrugore, 12 persona të vdekur

13:40, 22/07/2023
A+ Aa A-

E premte tragjike, pasi në 24 orë kanë humbur jetën 12 persona. Nga mbytja, te aksidentet rrugore apo edhe pakujdesitë në punë kanë shënuar një numër të madh të personave që kanë humbur jetën. Më e rënda regjistrohet në liqenin e Banjës në Gramsh, ku humbën jetën nga mbytja babai me dy djemtë si dhe kushëriri i tyre. 

Nga SYRI TV

4 viktimat në liqenin e banjës në Gramsh nuk ishin të vetmit për vendin tonë. Dita e premte shënoi një bilanc lufte sa i përket viktimave, ku në 24 orë kanë humbur jetën 12 qytetarë. 

2 pushues të tjerë humbën jetën në plazhet e  Durrësit dhe Lezhës. Në qytetin bregdetar  një 68-vjeçar ka ndërruar jetë pasi shfaqi probleme shëndetësore sapo është futur në ujë. Në Lezhë, një 52-vjeçar nga Kamza ka humbur jetën në plazhin e Talës.

Në Durrës  një 45-vjeçar (bojaxhi), duke lyer muret e një ndërtese, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga lartësia, duke gjetur më pas vdekjen.  

Në të njëjtin qytet një 70 vjeçare dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, në banesë, dhe për pasojë ka humbur jetën.

Situata ka qenë problematike edhe sa i përket aksidenteve rrugore, pasi në Tiranë në fshatin Fortuzaj, ka rënë në humnerë një mjet tip “Range Rover”. Për pasojë ndërruan jetë drejtuesi i mjetit Brusild Gjyla, 26 vjeç dhe pasagjeri Denis Çali, 33 vjeç . 
Në fshatin Shën Vasil, Himarë, ka dalë nga rruga një automjet që drejtohej nga Renato Bushi  40 vjeç, i cili ka humbur jetën ndërsa janë plagosur  Eduard Holand 31 vjeç anglez dhe shqiptari nga Gramshi, Kevin Rama, 26 vjeç, emigrant në Itali si dhe bashkëshortja e tij Marika Zagori. 
Gjithashtu një tjeter aksident është regjistruar në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Përparim, automjeti me drejtues një 20 vjeçar, është përplasur me karrocën e tërhequr nga një kalë. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën 58 vjeçari, banues në Peqin.
Por edhe të shtunën aksidentet janë regjistruar që në orët e para, por fatmirisht vetëm me të lënduar lehtë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco