EMRAT/ SPAK 'godet' dy oficerët gjyqësorë, në skemë edhe një zyrtar

EMRAT/ SPAK 'godet' dy oficerët gjyqësorë, në skemë edhe një zyrtar

09:41, 25/05/2023
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka akzekutuar 5 masa sigurie, mes të cilëve ndaj dy oficerëve të policisë gjyqësore në Elbasan për korrupsion.

Sipas hetimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, shtetasit Çelnik Toska dhe Sefer Shuka, në detyrën e Oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, si dhe shtetasi Lulzim Hasa, kanë marrë në disa raste nga shtetasit Zenel dhe Lirian Taragjini, përfitime monetare të parregullta, si dhe përfitime të tjera materiale për të kryer veprime të lidhura me detyrën dhe funksionin e tyre.

Toska dhe Shuka lejonin kthimin e makinave të bllokuara te qytetarët e ndryshëm përkundrejt pagesave që varionin nga 500 mijë lekë të vjetra deri në 1 milion. Ndërkohë që përveç parave, zyrtarët e policisë kërkonin edhe të mira materiale, ndërsa mes personave që janë pjesë e skemës, është edhe Zenel Taragjini, anëtar i Këshillit Bashkiak në Gramsh.

Në këto rrethana, GJKKO firmosi urdhërin e masave të sigurisë, dhe përkatësisht arrest me burg për Lulzim Hasën,  arrest në shtëpi për Çelnik Toskën,  detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore për Zenel e Lirian Taragjinin e po ashtu të njëjtën masë edhe për Sefer Shukan.

Urdhër-arrestet janë ekzekutuar nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë Tiranë.

NJOFTIMI ZYRTAR

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi bazën e materialeve të referuara nga Prokuroria e Përgjithshme, ka regjistruar procedimi penal nr.187 datë 03.11.2022, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 319/ç të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë proçedim penal nga BKH, janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasit Ç.T dhe S.SH në detyrën e Oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, si dhe shtetasi L.H, kanë marrë në disa raste nga shtetasit Z.T dhe I.T, përfitime monetare të parregullta, në shuma monetare si dhe përfitime të tjera materiale, për të kryer veprime të lidhura me detyrën dhe funksionin e tyre.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.45, datë 22.05.2023 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

– Caktimi i masës së sigurimit “Arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim L.H, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 i Kodit Penal.

– Caktimi i masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim Ç.T, i dyshuar për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

– Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim, Z.T, i dyshuar për veprën penale, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal.

– Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore ” të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim, S.Sh, i dyshuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 3 i Kodit Penal.

– Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim L.T, i dyshuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policise Tiranë kanë ekzekutuar në datën 24.05.2023 masat e sigurimit personale të vendosur ndaj personave nën hetim të mësipërm.

Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco