Vrasje e rëndë në Pejë, dyshohet se djali vrau nënën

Vrasje e rëndë në Pejë, dyshohet se djali vrau nënën

07:00, 15/04/2023
A+ Aa A-

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë njoftuar se të premten, në qytetin e Pejës, është arrestuar një person i dyshuar për vrasjen e nënës së tij.

Komandanti i stacionit policor në Pejë, Ndue Nikolla, ka deklaruar para mediave se rreth orës 16, Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, ka ndodhur një incident brenda një familjeje.

Sipas tij, policia ka konstatuar se “bëhej fjalë për një vrasje të rëndë”, si dhe “ka arritur të arrestojë të dyshuarin për kryerjen e veprës”, njofton REL.

Zyrtarët e Prokurorisë Themelore në Pejë e kanë përshkruar rastin si mjaft të rëndë.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi ka bërë të ditur se “dyshohet se i biri e ka privuar nga jeta të ëmën”.

“Kemi dalë në vendin e ngjarjes, së bashku me ekipin e forenzikës, janë izoluar të gjitha gjurmët, janë mbledhur të gjitha provat. Kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës”, tha prokurorja Gashi.

Sipas saj, janë siguruar edhe dëshmitarë të afërt të ngjarjes.

“Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, në prani të mbrojtësit, mirëpo nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet. Kemi urdhëruar që, nesër, në prezencë edhe të psikologut dhe avokatit mbrojtës, të provohet që të merret deklarata e tij”, theksoi prokurorja Gashi.

Ajo shtoi se në bazë të rrethanave, do të urdhërojnë edhe ekzaminimin e të dyshuarit në Instituin e Psikiatrisë Forenzike.

Megjithatë, as zyrtarët e policisë dhe as prokurorisë nuk kanë dhënë sqarime specifike se në çfarë mënyre dhe me çfarë mjetesh është kryer vepra penale e vrasjes. Gjithashtu, ata nuk kanë dhënë as sqarime se cilat janë motivet e dyshuara për veprën penale, duke thënë se rasti është ende në fazën e hetimeve.

Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco