Me tumor dhe një fëmijë për të rritur, historia e dhimbshme e të resë në dyert e Gjykatës së Apelit

23:11, 14/04/2023
A+ Aa A-

Zvarritja e çështjeve gjyqësore nëpër dyert e gjykatave, përveçse drejtësi e munguar është dhe burim i dramave të mëdha sociale. Siç është rasti i një zonje e cila tregon se pavarësisht kërkesës për ndarje që në vitin 2018 dhe pavarësisht se ka kaluar një ndërhyrje kirurgjikale për të hequr një masë tumorale, sërish ajo nuk i përfiton dot ndihmat e përcaktuara në ligj për mamatë të cilat rrisin fëmijët të vetme, pa ndihmën e burrit.

***
E dini sa zgjasin çështjet gjyqësore në Shqipëri? 1 muaj? 2 muaj? 1 vit? Apo 10 vite? Ka gjasa që të shkojnë dhe një dekadë, rasti i zonjës nga Tirana që po trajtojmë është i dhimbshëm.

Ajo është ndarë nga ish-burri, Vladimiri, por divorci i saj ka mbetur dyerve të Gjykatës së Apelit. “Kam vendosur të ndahem nga Vladimiri në 2018 për shkak të dhunës fizike dhe psikologjik. Gjykata e shkallës së parë vendosi divorcin, por detyroi babain të paguante 150 mijë lekë të vjetra për djalin tonë.

“Vladimiri vendosi që ta apelonte, pasi donte që të paguante vetëm 50 mijë lekë të vjetra në muaj. Çështja jonë ka nisur në 2018 dhe ende nuk ka marrë zgjidhje. Ende nuk kemi një datë se kur do të marrë fund ky proces gjyqësor”, thotë ajo fillimisht.

Situata për zonjën bëhet dhe më e rëndë, pasi u diagnostikua me një sëmundje të rëndë.

“Situata për mua u bë më e rëndë. U diagnostikova me tumor në gji, grada e dytë, nuk e kapa në kohë. Hoqa njërin gjoks me operim, tani kam mësuar se tumori është përhapur dhe në gjoksin tjetër. Në këto kushte kam nevojë për ndihmë, një shtëpi, ose banesë sociale nga Bashkia. Kam pasur afër vetëm familjen time, ish-bashkëshorti nuk më ka ndihmuar asgjë, as për djalin, nuk ka paguar as 50 mijë lekë të vjetra në muaj”, thotë ajo e përlotur. 

Vendosim të marrim Vladimirin për të sqaruar situatën me të, përgjigjja që marrim na befason: “Kam pranuar divorcin, por jo pagesën për djalin. Jam i papunë dhe nuk kam mundësi të paguajë 150 mijë lekë të vjetra në muaj. Për më tepër lidhuni me avokatët e mi. Nuk i paguaj ata, s’kam para”.

Empatia te ky prind duket se nuk njihet dhe në rolin e tij prindëror, por a është fajtori i vetëm? Jo, sigurisht që jo, pasi Vladimiri shfrytëzon hapësirat ligjore. Ai e ka apeluar çështjen dhe pritet të marrë zgjidhje nga dyert e gjykatës.

“Gjykata e Apelit nuk ka ende datë për rastin tone. Shpresoj të merret parasysh sepse dhe gjendja e saj shëndetësore nuk premton dhe ka nevojë për mbështetje financiare”, shprehet avokati i saj, Alban Duraj.

“Gjykata e Apelit nuk funksionon si duhet. Kam ende çështje të vitit 2017 duke u shqyrtuar, ai qytetari mërzitet sepse jemi në vitin 2023 dhe ende nuk ka një vendim. Kanë kaluar 6 vite”, thotë avokat Kujtim Cakrani.

Por çfarë e ka shkaktuar një problem të tillë? Reforma e re gjyqësore.  Harta e re gjyqësore do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative. KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, duke hequr pesë gjykatat Administrative që do jenë në vetëm dy, një në kryeqytet dhe një në qytetin e Lushnjes dhe duke lënë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që ishin.

Shkuam te Gjykata e Apelit dhe folëm me kancelaren, Lertida Balili, në lidhje me situatën në Gjykatën e Apelit. “Momentalisht po shqyrtohen dosjet civile të vitit 2017. Janë rreth 32 500 dosje për shqyrtim në Gjykatën e Apelit dhe puna po ecën”, thotë ndër të tjera Balili.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco