'Po dështove, të vrasin’, ndërmjetësi ekuadorian tregon për bandat e frikshme shqiptare

'Po dështove, të vrasin’, ndërmjetësi ekuadorian tregon për bandat e frikshme shqiptare

13:50, 20/03/2023
A+ Aa A-

Nga Stephen Wright, Daily Mail- Ekuador/

Nën kapelen e bejsbollit, veshur mbrapsht por e ulur poshtë, sytë e tij ishin plot dyshim armiqësor. Sheh rrotull për kamera sigurie, shikon me nervozizëm majtas, djathtas e pas krahëve. Befas, gjatoshi 30 e ca vjeçar tregon me gisht në qoshen e restorantit, pranë një dritareje.

Ulemi. Së pari, duhet ta siguroj se i kuptoj rregullat. Ai nuk duhet të identifikohet në asnjë mënyrë, dhe asnjë foto e tij nuk mund të publikohet pa leje. Një gjë e tillë do të çonte në vdekje thuajse të sigurt, më shpjegoi.

Dhe nëse nuk e mbaja fjalën? Shpejt kuptova që edhe jeta ime do të ishte në rrezik.

Kujdesi ishte i kuptueshëm. Ulur përballë meje në një restorant popullor në portin e Guayaquilit në Ekuador – porta drejt plazheve të Paqësorit dhe Ishujve Galapagos Islands, por njëherazi edhe një nga qytetet më të rrezikshëm në botë – ishte një anëtar i njërës prej bandave të rrugës që punonin me narkot shqiptarë për furnizimin e Evropës Perëndimore me kokainë.

Ai është një person që thotë se e kanë mësuar të vrasë që 14 vjeç në një ceremoni makabre hyrjeje në bandë.

“Më dhanë një revole dhe më thanë të dilja në rrugë e ta përdorja”, më tha në spanjisht.

“E përdore?”, e pyeta.

“Po. Qëllova dikë, por nuk jam i sigurt nëse vdiq”, ngre supet.

Pak qetësuese ishte për mua kur Junior, siç po e quajmë, më informoi me mirësjellje se kishte vendosur të mos e merrte armën me vete në takim.

Junior është bashkëpunëtor i Carlos Djallit, lider i degës ekuadoriane të bandës së famshme amerikanojugore Latin Kings.

Kjo e fut atë në zemër të sipërmarrjes së përgjakshme me mafian shqiptare për eksportimin e drogës përmes Kanalit të Panamasë e Atlantikut verior, drejt pikave të shpërndarjes në Belgjikë, Holandë e Spanjë.

Kurrë më parë nuk ka ndodhur që ndonjë gangster ekuadorian të thyejë kodin mafioz të heshtjes për të përshkuar se si operojnë bandat shqiptare të krimit të organizuar.

Kurrë më parë në karrierën time shumëvjeçare për Daily Mail – gjatë së cilës jam përballur me vrasës të panumërt – nuk jam ndeshur ballë për ballë me një person kaq të rrezikshëm në një vend ku jeta vlen shumë pak.

Sot do të shpjegojmë se e ashtuquajtura mafia ballkanike zuri rrënjë në Ekuador.

Dhe do të ekspozojmë se si kapot shqiptarë dhe veglat e tyre kontrollin çdo aspekt të tregtisë deri në stacionin final, një treg kokaine me vlerë 2 miliard sterlina në pothuajse të gjitha qytetet e mëdha dhe zonat urbane të Britanisë.

Anëtarë të vëllazërisë kriminale shqiptare nisën të vinin në Ekuador rreth dhjetë vjet më parë, jo shumë pasi presidenti majtist Rafael Correa vendosi që të huajt mund të qëndronin në vend deri në gjashtë muaj pa viza.

Efektivisht ai iu hapi dyert narkove shqiptarë, për të cilët ishte një mundësi shumë e mirë për të mos u shfrytëzuar.

Ky vend i varfër ka si fqinjë dy vatra të nxehta të prodhimit të kokainës: Kolumbinë në veri dhe Perunë në jug. Ka kufij si han me shtatë porta, vijë bregdetare mbi 1500 kilometra, dhe korrupsioni e ryshfetet janë kulm, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe në ushtri. Plus, mund të gjesh me lehtësi armë dhe vrasës me pagesë, disa edhe 12-vjeçarë.

Bosët shqiptarë paraqiten si biznesmenë dhe investues të ligjshëm, me identitete false. Ata marrin me qira shtëpi në zona të sigurta e të pasura dhe e kalojnë kohën në palestra apo restorante e hotele të shtrenjtë. Shumë kanë krijuar baza në Guayaquil, i cili, sipas Byrosë së SHBA për Çështjet Narkotike Ndërkombëtare, është një nga “nyjet kryesore logjistike për kokainën që shkon në Evropë dhe pjesën tjetër të botës”.

Zyra e OKB për Drogën e Krimet (UNODC), e cila monitoron trafikun e kokainës midis Amerikës Jugore dhe Evropës, konfirmon se “zinxhirët e furnizimit, dukur të dominuar nga pak grupe kriminale të organizuar, po iu nënshtrohen ndryshimeve” me “organizata nga Ballkani që tani po përfshihen më tepër në trafikim e furnizim”.

Veshur me një bluzë të gjerë, Junior përkulet nga unë dhe pëshpërit me nxitim: “Latin Kings në Guayaquil kontrabandojnë drogë që vjen nga Kolumbia e Bolivia. Kokainë shkon me kontejnerë nga Ekuadori në Evropë e Britani”.

“Personi i ngarkuar për të punuar me shqiptarët është Carlos El Diablo [Carlos Djalli]. Njerëz që punojnë në port paguhen për të ndihmuar bandat kriminale. Ka punëtorë të korruptuar në një kantier detar privat të quajtur Contecon. Personat e ngarkuar me kyçjen dhe hapjen e kontejnerëve joshen me ryshfete, ashtu si dhe stafi i sigurisë i ngarkuar me kamerat. Çmimi (i kokainës) është 28 mijë dollarë kilja. Ndonjëherë, në kontejnerë futen deri në 300 kile. Është pará e madhe që lëviz”.

Ndërmjetësi që më siguroi intervistën me Junior më kishte thënë se ai po përpiqej të ndahej nga jeta e gangsterit. Por me çdo minutë që kalon, dyshoj përherë e më tepër – përpara kam një njeri të zhytur në kulturën vrastare të bandave, me gishtin në këmbëz, dhe në përfitimet në pará që kjo lloj jete i ofron.

Junior vazhdoi: “Carlos punon me shqiptarët që jetojnë në Guayaquil. Ndonjëherë takohen në Mall del Sol dhe qendra të tjera tregtare. Ata janë të ngarkuar me sigurimin e mallit dhe me sasinë që do të dërgohet. Shqiptarët japin paradhënie gjysmën e parave të dërgesave të drogës”.

“Shqiptarët nuk duan t’u flasësh nëse nuk je në takim pune”, shton. “Një herë, një shqiptar më tha: ‘Nëse më sheh ndonjëherë përveç këtij takimi, ti nuk më njeh. As mos më shiko fare’:.

Junior garanton për efikasitetin e tyre të pamëshirshëm.

“Kur e përfundon punën me shqiptarët, nuk dëgjon më prej tyre deri në transaksionin e radhës. Po dështove, të vrasin”.

Sipas zyrtarëve të doganave në Ekuador, të cilët punojnë ngushtësisht me autoritetet britanike, janë katër metoda kryesore të përdorura nga trafikuesit në porte.

Këto përfshijnë një kompani vitrinë, një opsion popullor me shqiptarët, të cilën e krijojnë vetë apo duke blerë ndonjë biznes ekzistues, për të fshehur kokainën para transportimit.  

Një tjetër teknikë është “prish e ndreq”. Trafikuesit e drogës shpesh hapin kontejnerë me mallra të ligjshme për eksport, fshehin kokainën mes tyre, dhe i mbyllin prapë kontejnerët duke përdorur vula doganore të klonuara. Kur kontejnerët mbërrijnë në Evropë, kokaina nxirret nga banda të tjera.

Si alternativë, droga shpesh fshihet në zgavra brenda anijeve apo në pako të ngjitura pas trupit të anijeve të ankoruara në porte.

Shumica e kontejnerëve që dalin nga Guayaquil mbërrijnë në Anversë, Belgjikë, apo or Roterdam, Holandë, ku stafit i ofrohen shuma të mëdha parash për të mbyllur një sy.

Prej aty, kokaina mendohet se hyn në Britani përmes porteve të tillë si Portsmouth, Tilbury, Harwich, Immingham dhe Hull.

Florence Angelici, zëdhënëse e Ministrisë së Financave në Belgjikë, tha për DM se kokaina e kapur në Anversë i kalonte 100 tonët deri në fund të 2022, një rekord i ri. Aq shumë drogë u kap në port gjatë dhjetorit saqë disa zyrtarë i vunë emrin “Krishtlindje të bardha”.

“Prodhimi është rritur, për shkak të modifikimit gjenetik të bimës së kokas në Amerikën Jugore”, shton Angelici. “Më parë kishte një vjelje në vit, ndërsa tani mund të marrin dy apo tre nga e njëjta bimë, e si rezultat numri i dërgesave të drogës është rritur”.

“Mënyra kryesore ende mbetet ‘prish e ndreq’, në të cilën kokaina ngjishet në valixhe apo çanta që më pas futen mes mallrave. Kjo mbështetet te marrja në destinacion. Por trafikuesit janë shumë krijues dhe gjithmonë vijnë me ide të reja – kokaina mund të futet në fruta, fshihet brenda lëndës drusore apo në karkasat e kontejnerëve. E fshehin kokainën kudo. Çfarëdo që të shkon ndërmend, e përdorin: lodra seksi, ushqim qensh, madje e hekurosin edhe në rroba dhe ekstraktojnë më pas. Evropa është tepër tërheqëse për trafikuesit. Çmimi këtu është më i lartë se në SHBA, ku fentanili është droga e preferuar”.

Junior refuzoi vazhdimisht të thoshte emrat e shqiptarëve me të cilët kishte punuar apo emrin e bosit shqiptar në Ekuador. Mos ishte i famshmi Dritan Rexhepi, i ashtuquajturi “Mbreti i kokainës”, i cili është përshkruar se kapo i padiskutueshëm në mafian shqiptare?

Nuk u përgjigj dhe në sy i pashë tmerrin që solli vetëm përmendja e emrit të Rexhepit, ish-studenti i juridikut që tani është në të dyzetat dhe ka bërë pasuri shumëmilionëshe nga tregtia e drogës.

Vërtet, fama e tij globale është e tillë sa që e kanë krahasuar me bosin meksikan

Joaquin Guzman – ‘El Chapo’ – dikur një nga trafikuesit më të fuqishëm të drogës në botë. Guzman tani po vuan dënimin e përjetshëm plus një tjetër dënim 30-vjeçar në një burg të sigurisë maksimale në SHBA.

Ndërkohë, Rexhepi, i dënuar me 13 vjet burg për trafik droge në Ekuador, është liruar me kusht para kohe. Por të thuash se është kthyer në biznes do të ishte e gabuar. Ai nuk e la kurrë biznesin.

Nga qelia e burgut në kryeqytetin Quito, Rexhepi thuhet se përdorte një celular të koduar për të koordinuar një federatë kriminale të trafikuesve shqiptarë të njohur si Kompania Bello.

Rexhepi besohet se qëndron edhe pas urdhrit për vrasjen e një të pafajshmi pasi një bandë rivale shqiptare dyshohet se vodhi kokainë me vlerë miliona sterlina të cilën ai e kishte futur në Portsmouth brenda një kontejneri plot me banane.

“Krimi” i vetëm i viktimës – i marrë peng dhe vrarë në Shqipëri – ishte se kishte vëlla dikë që dyshohet se ia punoi Rexhepit me dërgesën e drogës.

Por tani, ideatori kriminal është zhdukur nga radarët në Ekuador. Munda të zbuloj se Rexhepi ka krijuar lidhje të ngushtë me një grua ekuadoriane, me të cilën ka edhe një djalë, çka i lejon aplikimin për shtetësi ekuadoriane. Në rast suksesi, kjo do të thotë se ai nuk mund të ekstradohet në Evropë, më tha një shef policie.

Në Shqipëri është dënuar me 25 vjet në mungesë për dy vrasje (përfshirë atë të një polici) dhe dyshohet edhe për vrasje të tjera. Ai kërkohet edhe nga Italia e Belgjika, dhe ka identitete të shumtë.

Lëvizjet e tij janë me interes edhe për Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), versioni britanik i FBI-së. NCA, e cila ka agjentë në Ekuador që monitorojnë rrezikun e paraqitur nga narkot shqiptarë, di shumë për Rexhepin. Ai hyri në listën e kriminelëve të huaj më të kërkuar të policisë britanike dhjetë vjet më parë kur mendohej se fshihej në Angli, dhe ka lidhje në Londër, Bedfordshire e Northamptonshire.

Sipas Europol, ajo që e dallon organizatën e Rexhepit nga të tjerat është mënyra me të cilën kontrollonte të gjithë zinxhirin e furnizimit – që nga gjetja e burimit të kokainës për eksoirt, te shitja me shumicë e deri te shitja në rrugë në qytete si Brighton.

Autoritete ligjore ekuadoriane, që ndajnë informacion me NCA, pranojnë se nuk janë të sigurt për vendndodhjen aktuale të Mbretit të Kokainës. Zyrtarisht, ai duhet të paraqitet e firmosë në një regjistër dy herë në muaj si kusht për lirinë, por burime të shumta thonë se dyshojnë se dikush tjetër e bën në emër të tij.

Sipas shefit të anti-narkotikëve, Gjeneral Pablo Ramirez, po bëhen hetime për partnerin e Rexhepit, i cili ka bërë disa udhëtime në kryeqytetin kolumbian, Bogota.

“Nuk kemi dyshime se ai mund t’i jetë kthyer biznesit të paligjshëm përmes partnerit të tij”, më tha Gjeneral Ramirez.

E sigurt është që askush nga ata që e kanë monitoruar karrierën e Dritan Rexhepit në mafian shqiptare nuk mendon seriozisht se ai mund të ketë hequr dorë, dhe lëvizja me bërjen e një fëmije me gruan ekuadoriane tregon edhe më tepër për zgjuarsinë e tij.

Që ai së shpejti mund të bëhet i paprekshëm ka implikime serioze për betejën e NCA kundër kërcënimit në rritje nga grupet e krimit të organizuar shqiptar në Britani.

Burime nga autoritetet britanike besojnë se trafikuesit e njerëzve që sjellin migrantë shqiptarë përmes La Manshit po punojnë me bandat shqiptare të drogës për t’i furnizuar me ushtarë rruge për shitjen e kokainës në qytetet britanike.

Verën e kaluar, DM raportoi se bandat shqiptare dërgojnë në Angli individë të pastër, pa rekorde kriminale, për t’u bashkuar me grupet e drogës, kështu që verifikimet e bëra për ta pasi mbërrijnë nuk janë në gjendje të zbulojnë ndonjë lidhje me bandat.

Ekuadori është një vend ku jeta është e lirë – dhe askund më tepër se në Guayaquil. Bandat e drogës paguajnë vetëm 5 mijë dollarë për vrasjen e gjyqtarëve dhe anëtarë të sistemit të drejtësisë marrin shpesh buqeta funeralesh në shtëpi.

Hetimi ynë përfshinte edhe një takim dramatik me një prokuror shteti që iu ka mbijetuar pesë tentativave për vrasje nga grupe të ndryshme droge. Ai pranoi të fliste me mua për narkot shqiptarë, duke më kërkuar ndjesë për mënyrën sekrete të takimit, në një parking makinash në një vend që supozohej të ishte i sigurt.

Ai tha se ka punuar në disa raste që përfshijnë shqiptarët dhe njëherë u sulmua nga gangsterët pasi kapi tre tonë drogë. Në fund të takimit 90-minutësh, ai më tregoi foton e një vrime plumbi në xhamin e parmë të makinës, nga një atentat.

Një nga kolegët e tij, Edgar Escobar, u vra para Prokurorisë së Përgjithshme vitin e kaluar.

“Më 2014, mbi 20 shqiptarë ishin në burg për krim të organizuar”, tha prokurori. “Rrënjët e tyre në Guayaquil u shkulën pas atij rasti, por ende vijnë në mënyrë klandestine dhe hiqen si biznesmenë”.

“Në rastet e njohura nga prokuroria, shumica e shqiptarëve kanë lidhje familjare mes tyre. Kunetër, dhëndra, krushq, kushërinj. Zakonisht shqiptarët nuk vrasin vetë, paguajnë kriminelë – vrasës serial – për ta bërë. Ata janë ideatorët e krimeve”.

“Para disa javëve, një bandë anonime la fletushka anonime (në rrugë dhe në prokurori) ku thuhej se për një prokuror apo gjyqtar të vdekur paguheshin 5,000 dollarë, për një oficer policie 4,000, dhe për një ushtar 2,000”.

Shqiptarët janë në luftë në Ekuador me kartelet meksikane për shitjen e drogës, shtoi.

“Nëse një shqiptar guxon të çojë drogë në SHBA, që është territor meksikan, është i vdekur në vend. E njëjta gjë ndodh nëse një meksikan përpiqet të çojë drogë në Evropë. Kanë rregulla, nuk mund të ndërhyjnë”.

“Ka dy arsye pse mund të vritet një shqiptar: ose ngarkesa e dërguar dështon, sepse e kap policia, ose ndërhyjnë në territor”.

Vrasësit që tërheqin këmbëzën zakonisht janë midis moshave 16 e 25 vjeç.

Në janar 2022, mafiozi shqiptar Ergys Dashi u vra në një restorant nga një burrë që mbante një buqetë trëndafilash. Në video shfaqet teksa bie në një pellg gjaku, i rrethuar nga klientë të tmerruar. Një tjetër, Adriatik Tresa, u ekzekutua para kunatës pasi shtatë persona të veshur si policë i shkuan në shtëpi, pranë Guayaquil.

“Linjat e trafikut nga Ekuadori nëpër botë mund të jenë të shumta”, më tha Santiago Niego, nënsekretari për luftën kundër krimit në Ministrinë e Brendshme të Ekuadorit, i cili mban lidhje të ngushta me homologët evropianë në përpjekje për të ndaluar rrjedhën e drogës nga vendi i tij. Ai nuk habitet që Latin Kings po punojnë me shqiptarët për të trafikuar kokainë.

“Latin Kings mund të ofrojë logjistikë për disa bashkë-liderë njëherazi, jo vetëm shqiptarë. Për shembull, ata mund të kenë njerëz në porte, mund të kenë rekrutuar autoritete policie, ose të kenë dikë që transporton apo ruan drogën, ose dikë që iu jep informacione për kompanitë e transportit detar”.

Junior është një nga ata që ofrojnë mbështetje logjistike për shqiptarët. Ai thotë se paguhej midis 100 e 500 dollarë për kile.

“Në dërgesën e parë më paguan 100 dollarë për kile. Fitova 4,000. Grupi kontrabandues përbëhet nga 20-25 njerëz. Fitimi ndahet midis nesh”.

Me të ardhurat mesatare vjetore vetëm 5,000 dollarë në Ekuador, këto shifra janë pará e madhe. Dhe nëse Junior dështon në një mision droge për narkot shqiptarë dhe paguan çmimin fatal, do të ketë plot gangsterë të tjerë që janë gati t’i zënë vendin e të vazhdojnë të ushqejnë nga larg Britaninë me drogë./Daily Mail/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco