Nga Ramazan Rraja te Plarent Dervishaj, kush u përfshi në atentatin ndaj Ndojës dhe 'Rrumit'

Nga Ramazan Rraja te Plarent Dervishaj, kush u përfshi në atentatin ndaj Ndojës dhe 'Rrumit'

11:53, 20/01/2023
A+ Aa A-

Policia e Shtetit  ka zbardhur detaje nga operacioni i zhvilluar në zonën e Durrësit dhe Niklës për arrestimin e personave të tjerë, që dyshohet se janë përfshirë në atentatin e ndodhur ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur si 'Rrumi', ngjarje ku humbi jetën shoferi Andi Maloku.

Burime bëjnë me dije se personat e arrestuar janë shtetasit Akil Nerjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhiaj, ndërkohë që në kërkim janë shpallur Ramazan Rraja, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj.

Ndërkohë me herët për ngjarjen janë arrestuar Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, për të cilët SPAK pritet të paraqesë së shpejti pretencën.

Emrat e tyre dolën nga një bashkëpunëtor i drejtësisë, i cili zbuloi se anëtarët e Bandës së Durrësit siguruan kushte dhe mjete për atentatin. 

Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë ndaj prokurorit Arjan Ndoja; “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e Andi Malokut dhe mbetur në tentativë ndaj Aleksandër Laho; “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Nga operacioni i koduar “Komploti” i SPAK në bashkëpunim me Forcat Operacionale, RENEA dhe FNSH u ushtruan kontrolle në 11 banesa në Tiranë, Durrës dhe Fushë-Krujë. Gjatë kontrolleve sekuestruan 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme. 

Në vitin 2019 një atentat u bë ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes, prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur. Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga prokurori Ndoja, iu bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit, kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së plumbave, makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco