Krimi survejon Policinë, urdhër-kontrolli në gjithë territorin! Uniformat blu zbulojnë vendet ku…

Krimi survejon Policinë, urdhër-kontrolli në gjithë territorin! Uniformat blu zbulojnë vendet ku…

09:45, 17/01/2023
A+ Aa A-

Zbulimi i 21 kamerave pa zot dhe autor në Shkodër, që pretendohet se ishin vënë për të kontrolluar dhe monitoruar lëvizjet e Policisë, ka bërë që Policia e Shtetit të urdhërojë një kontroll në të gjithë territorin.

Edhe pse Policia ende nuk flet se si është lejuar vënia e këtyre kamerave në ambiente publike nga persona të paautorizuar, ndërkohë që është policia ajo që kontrollon territorin, mësohet se ditëve të fundit është lëshuar një urdhër nga Policia e Shtetit që e njëjta nismë të vihet në punë në të gjitha qarqet problematike.

E ndërkohë, vijojnë hetimet në Shkodër për të mësuar se kush kanë qenë personat që i kanë instaluar kamerat në zona të banuara dhe që nuk iu përkasin pronave të dyshuarve të Policisë, problemi i njëjtë është në të gjitha qytetet dhe zonat ku Policia i di dhe njeh të gjithë elementët që ruhen nga rivalët dhe i përdorin kamerat e sigurisë për të eliminuar ndonjë të papritur për jetën e tyre apo edhe të familjarëve të tyre. Identifikimi i vendeve në të cilat janë shkulur këta kamera vëzhguese dhe publikimi i tyre bën që të vihen në dijeni palët në konflikt, ndonëse Policia vijon të pretendojë se ato kamera janë për të vëzhguar Policinë që të mos shkojë dot të godasë aktivitetet kriminale të grupeve të fuqishme.

Urdhri

Jo vetëm në Shkodër, por edhe në qytete të tjera të vendit dyshohet se grupet kriminale kanë montuar kamera sigurie për të monitoruar pjesëtarë të grupeve kriminale rivale dhe lëvizjet e efektivëve të policisë lokale. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka urdhëruar drejtorët në 12 qarqet e vendit për të ushtruar kontrolle të gjera. Urdhri i kryepolicit ka të bëjë me identifikimin e kamerave pa Zot, që nuk janë në emër të askujt dhe nuk justifikojnë vendin e instalimit në hapësira publike. Në Tiranë, thonë burimet, po verifikohen disa zona me risk të lartë ku banojnë anëtarë të disa grupeve kriminale. Ndër to, në afërsi të rreth rrotullimit të TEG-ut, pranë “21 Dhjetorit”, apo zonës së Astirit.

Kontrolle do të ketë edhe në qytete të tjera me aktivitet të lartë kriminal si Elbasani, Vlora dhe Durrësi. Ndihmë për identifikimin dhe çmontimin e këtyre kamerave është kërkuar edhe nga institucionet e bashkive, njësive administrative, kryepleqve apo administratorëve të pallateve. Ndërkohë në Shkodër ku u sekuestruan dhe u çmontuan 21 kamera sigurie, vijon hetimi për të zbardhur autorët që i kanë komanduar në distancë dhe serverët që i kanë ruajtur. Dyshimet janë se serverët e këtyre kamerave të jenë jashtë shtetit dhe komandimi i tyre bëhet përmes valëve të internetit.

Operacioni i Policisë së Shkodrës për çmontimin e 21 kamerave të vendosura në shtylla elektrike në ato që konsiderohen si bazat e fiseve që janë në konflikt me njëri-tjetrin prej shumë vitesh, ka çuar në shoqërimin e disa personave.

Policia bëri me dije se ka shoqëruar disa persona të cilët dyshohet se iu përkasin kamerat e shkulura, por asnjë prej tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit në identifikimin e personave përgjegjës për vendosjen e këtyre kamerave. Pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë, teksa po punohet për gjurmimin e serverit që ruan materialet filmike të këtyre kamerave të sigurisë. Gjurmimi i tyre pritet të jetë i vështirë për shkak të cilësisë së avancuar. Përmes internetit, ato mund të komandohen edhe jashtë shtetit dhe për këtë arsye hetuesit po punojnë për të pasur rezultate. Rëndësia e gjetjes së këtyre serverëve është e madhe, për shkak edhe të mundësisë së sigurimit të provave për disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në këto zona në vitet e fundit, të mbetura të pazbardhura.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco