Si ndodhi atentati ndaj Edmond Papës/ Pronari i lokalit: Pashë një person me kapuç, i mbulova plagët...

Si ndodhi atentati ndaj Edmond Papës/ Pronari i lokalit: Pashë një person me kapuç, i mbulova plagët...

21:47, 28/12/2022
A+ Aa A-

Më 16 dhjetor, Tirana u trondit nga një atentat me armë në mes të një lokali në zonën e Komunës së Parisit, ku u ekzekutua Edmond Papa. Për këtë ngjarje të rëndë ka dëshmuar para hetuesve shtetasi me inicialet V.SH., pronari i lokalit ku ndodhi krimi, i cili ishte edhe vetë i pranishëm kur u qëllua me breshëri.

Në dosjen hetimore të zbardhur në emisionin e Klodiana Lalës, thuhet se pronari i lokalit kishte krijuar njohje me Papën dhe rrethin e tij familjar për shkak se ishte klient i rregullt. Ai është shprehur se fillimisht nuk e ka kuptuar çfarë po ndodhte.

“Më datë 16 Dhjetor 2022 si zakonisht kam shkuar në punë rreth orës 14.00 dhe në lokal ka patur klientë të zakonshëm të cilët vinin aty. Unë kam qenë brenda në lokal dhe po punoja në banak. Në lokal punoj vetëm unë, pasi nuk ka kamerierë. Fillimisht kam dëgjuar zhurmë si shashka dhe kam menduar se po hedhin fishekzjarre. Nga pjesa e banakut ku unë isha, nuk dukej mirë se çfarë po ndodhte”, ka deklaruar pronari i lokalit.

Përsa i përket autorit, ai është shprehur se nuk e ka parë mirë kush ishte, pasi mbante kapuç në kokë.

 “Gjatë kohës që isha në banak, unë pashë një person me kapuç në kokë, dhe asgjë tjetër. Më pas dola nga banaku për tek dera dhe në hyrje të lokalit pashë viktimën që më ka kërkuar të thërras urgjencën, pasi më tha se ishte plagosur”, ka deklaruar shtetasi V.Sh., i cili ka rrëfyer se ka tentuar të lidhet me policinë  dhe pasi nuk ka mundur, ka shkuar te banesa e viktimës.

“Pasi konstatova ngjarjen, u mundova t’i telefonoja numrit 129, por më doli sekretaria. Ishte ora 16.25. I rashë dy herë këtij numri, por kur pashë që nuk po më përgjigjeshin, më pas shkova tek banesa e viktimës. Aty pasi i kam rënë ziles së derës i kam thënë kunatës së tij që është plagosur vëllai i burrit të saj.

Pasi u ktheva në lokal e gjeta të shtrirë viktimën, i cili kërkonte ndihmë. Në këtë moment hoqa xhupin dhe ia vendosa te koka. Më pas mora një peshqir për t’i bllokuar plagët.

Në këtë kohë kunata e tij ishte me telefon në dorë, por nuk e di kë ka telefonuar. Më pas ajo mori makinën për ta transportuar vetë pasi ambulanca po vonohej. Në këtë moment erdhi policia dhe pas saj edhe ambulanca që e transportoi për në spital”, theksoi ai.

Ndërkohë, kujtojmë se Edmond Papa u qëllua 9 herë me breshëri armësh. Fillimisht ai u transportua për në spital me shenja jete, por nuk mundi të mbijetojë për shkak të plagëve të marra.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco