Misteri i vdekjes së 32-vjeçarit nga Kolonja, familjarët: Djersinte pasi mori ilaçet te dentisti

16:38, 24/12/2022
A+ Aa A-

Gentian Isai 32-vjeç nga Kolonja u nda nga jeta disa orë pasi kishte bërë një ndërhyrje tek dhëmballa, ndërsa konsumoi edhe ilaçet që i dha mjeku. Familja tregon momentet e fundit të të riut dhe dyshimet që kanë sa i përket medikamenteve që ka konsumuar. I ati Dashamir Isai, thotë se pasi konsumoi ilaçet për dhëmballën, Gentiani kishte djersitje dhe këputje duke konfirmuar se prej tre ditësh kishte dhimbje dhe enjtje.

Syri Tv

Detaje të reja janë zbardhur nga vdekja e mistershme e 35-vjeçarit nga Kolonja, Gentian Isai i cili ndërroi jetë pasi mori mjekim për dhimbjen e dhëmballës.  

Familjarët e tij rrëfejnë se gjendja e të riut u përkeqësua pasi u kthye në shtëpi, teksa kishte shfaqur shqetësim dhe ishte enjtur.

Prindërit i kishin sugjeruar që të shkonte në Ersekë tek dentisti, i cili i kishte dhënë ilaçet.

Ka qenë babai i Gentianit që rrëfen detaje për çastet e fundit të të birit. 

"Djali kishte 8 ditë që ankohej. Më pas shkoi në farmaci në Ersekë, i dha ilaç doktori edhe i tha ‘ec e merre atje’. Erdhi nga ora 11, nga ora 4-ër mbaroi. Recetën e kishte marrë tek dentisti. I kishte dhënë një letër ilaçesh dhe i kishte thënë shko merri në farmaci. Djali ishte i mavijosur nga qafa. Kur vajta tek spitali doktori më tha ka mbaruar (vdekur). Djali nuk vuante nga asnjë sëmundje. Nuk kishte kaluar asnjë grip apo virus sezonal. Nuk i dihet sesi ndodhi. Ose nga dhëmballa, iu mblodh qelbi dhe i ka ndodh ndonjë reaksion, nuk merret vesh sesi ndodhi". 

Familjarët tregojnë momentet e fundit të Gentianit dhe nisjen e tij drejt spitalit, vend në të cilin fatkeqësisht nuk mbërriti dot i gjallë.

Ndërkohë ata ia lënë mjekësisë ligjore të përcaktojë shkakun e vdekjes.

Kushëriri i 32-vjeçarit Blerti Shabani është po aq i befasuar dhe dyshues sa familjarët e të ndjerit me rrethanat e ngjarjes, teksa këmbëngul për zbardhjen sa më parë të saj. 

"Kur më lajmëruan dje, erdhën mbrëmë për tërë natën sepse kishte dy ditë që vuante nga dhëmballa. Dje iku në Ersekë sepse dhëmballa ishte e enjtur, shkoi tek dentisti, ai i dha një recetë, ai shkoi i mori ilaçet, erdhi këtu, piu ilaçet. Një ilaç e kishte pirë në Ersekë, nja tre copë i piu këtu. Foli pak me të ëmën, e shkoi brenda u shtri. Kur vajti nëna ta shohë e gjeti pa ndjenja".

Lidhur me vdekjen Gentian Isait, janë marrë deklarimet e stomatologut dhe të familjarëve, teksa pritet një raport paraprak nga ana e mjekut ligjor për të mësuar shkakun e vdekjes.

Nga ana e familjes deri tani nuk është bërë denoncim për neglizhencë apo mjekim të pakujdeseshëm.

LEXO EDHE: 

Vdekja e 32-vjeçarit nga dhëmballa/ Spitali: Infeksioni ishte i rëndë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco