Do organizonte sulm terrorist ndaj opozitarëve në Manzë, dënohet iraniani i akuzuar për terrorizëm. Zbardhen akuzat

Do organizonte sulm terrorist ndaj opozitarëve në Manzë, dënohet iraniani i akuzuar për terrorizëm. Zbardhen akuzat

09:02, 15/12/2022
A+ Aa A-

Një iranian që përgjonte anëtarët e opozitës në mërgim të vendit të tij është dënuar me 15 vite burg nën akuzën e terrorizmit.

Bijan Poolandrag i arrestuar kohë më parë, u gjykua për disa vepra penale, ndërsa një ditë më parë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuara dha dënimin ndaj tij. Nga gjykimi i shkurtuar, ai përfiton ulje dënimi, çka do të thotë se burgimi përfundimtar shkon në 10 vite burg. Pas më shumë se dy vitesh hetime, organi i akuzës kërkon që 46-vjeçari nga Irani të shpallet fajtor për 6 vepra penale “Kryerje e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, “Organizata Terroriste”, “Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike”, dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”, por në fund të gjykimi është shpallur fajtor vetëm për dy prej akuzave.

Pooladrag akuzohet se ka dhënë informacione për Republikën Islamike të Iranit në dëm të muxhahedinëve të organizatës MEK që strehohen në kampin e Manzës në Durrësi, me qëllim realizimin e një sulmi terrorist ndaj tyre, akuza të cilat janë hedhur poshtë nga i pandehuri.

Arrestimi

Pooladrag u arrestua në tetor 2020 nën dyshimin se ishte një agjent iranian me mision për të vrojtuar grupin e MEK, një organizatë opozitare iraniane në ekzil, e cila ka selinë aktualisht në Shqipëri pas evakuimit nga Iraku me ndërmjetësimin e amerikanëve. Organizata e Popullit Muhaxhidin të Iranit është themeluar në vitet ’70 si një opozitë e majtë ndaj regjimit të mullahëve. Organizata u zhvendos në Irak gjatë Luftës Irak – Iran dhe u klasifikua si organizatë terroriste. Ajo u çarmatos pas pushtimit amerikan të Irakut ndërsa një pjesë e anëtarëve u zhvendosën në Shqipëri me ndërmjetësimin e amerikanëve.

Policia e Shtetit njoftoi në vitin 2019 se kishte dyshime se persona të agjenturës iraniane kishin përgatitur ndërmarrjen e sulmeve terroriste në territorin e Shqipërisë. Shtetasi iranian mbërriti në vendin tonë si refugjat muxhahedin i organizatës MEK në vitin 2016 duke u vendosur në Manzë dhe më pas u pajis me leje qëndrimi. Në 22 janar 2020, Pooladrag u largua nga Manza dhe firmosi një kontratë qiradhënie me një grua shqiptare në lagjen “5 Maji” në Tiranë, duke pranuar të qëndronte në banesën e saj për të paktën 6 muaj. Më pas, vajza e pronares denoncoi Bijaan Pooladragun se ky i fundit kishte përdorur telefonat e saj dhe të së ëmës për të hapur aplikacionin “Telegram”, nëpërmjet të cilit dërgonte mesazhe te persona të ndryshëm. Fillimisht, vajza mendoi se platforma ishte hapur nga njerëz të afërm të saj, por pasi nuk mori përgjigje, ajo krijoi dyshime se Pooladrag mund të kishte përfituar nga fakti që nënë e bijë i linin shpesh telefonat në shtëpi dhe ai mund t’i ketë përdorur.

Nga konstatimet në telefona, vajza e pronares gjeti se nga aparati telefonik i saj ishin dërguar mesazhe te persona të panjohur në gjuhë iraniane dhe angleze. Ajo u bëri foto mesazheve të dyshimta dhe në 8 tetor 2020 pa se këto mesazhe ishin fshirë jo nga ajo. Sipas dosjes hetimore, 46- vjeçari nga Irani u paraqit para gruas dhe nënës së saj shqiptare se punonte si programues kompjuterësh, por ai nuk mbante me vete dhe në shtëpi pajisje të tilla. Gjatë kontrollit, policia shqiptare gjeti tre dokumente identifikimi dhe një sërë dokumentesh të tjera, 10 karta telefoni SIM, katër aparate celulare dhe një USB. Në seancën gjyqësore, ai deklaroi se merrte 300 euro në muaj nga një organizatë iraniane dhe se ishte larguar nga atdheu i tij për shkak se nuk pranonte regjimin atje. Gjithashtu, Pooladrag u shpreh se kishte luftuar në Irak.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco