Presion politik mbi kryeministrin britanik: Sistemi i azilit në kaos, masat të përfshijnë edhe Shqipërinë

Presion politik mbi kryeministrin britanik: Sistemi i azilit në kaos, masat të përfshijnë edhe Shqipërinë

11:56, 09/12/2022
A+ Aa A-

Sekretarja e Brendshme në hije e Britanisë, Yvette Cooper, tha se kjo masë për trajtimin e 'sistemit në kaos' duhet të përfshinte Shqipërinë

Londër - Laburistët do t’i nxitonin aplikimet për azil për njerëzit që vinin nga vende të caktuara që konsiderohen “të sigurta”, përfshirë Shqipërinë, në përpjekje për të lehtësuar numrin e kërkesave, tha Yvette Cooper.

Sekretarja e Brendshme në hije tha se donte të ringjallte një sistem që laburistët e përdornin gjatë kohës që ishin në qeveri, në të cilin Zyra e Brendshme i jepte përparësi pretendimeve nga vende të caktuara dhe i përpunonte ato brenda disa ditësh, njofton the Guardian. 

Kjo skemë u braktis megjithatë pasi gjyqtarët vendosën se ishte "strukturalisht e padrejtë", me rreth 99% të kërkesave që ishin refuzuar pothuajse menjëherë.

Cooper tha se një kthim në sistemin e shpejtë ishte i përligjur për shkak të vonesave të mëdha në përpunimin e kërkesave për azil. Gati dy të tretat e aplikantëve për azil kanë pritur më shumë se gjashtë muaj për një vendim, thonë shifrat e Home Office.

Cooper i tha programit të “Radio 4 Today”: “Ne do t’i përshpejtonim rastet nga shtete të caktuara të sigurta – që përfshijnë edhe Shqipërinë – ku ka pasur një rritje të madhe të njerëzve që mbërrijnë kohët e fundit. Dhe kjo do të thotë që nëse çështjet janë qartazi të pabazuara,për to mund të merret vendim shpejt dhe të kthehen me shpejtësi.”

Ajo shtoi: “Për momentin, sistemi është në kaos”.

Home Office po përpiqet të pastrojë numrin e kërkesave për azil që i ka të pazgjidhura. Këtë vit, 44,000 migrantë kanë kaluar Kanalin me varka të vogla dhe qeveria thotë se po shpenzon gati 5 milionë paund çdo ditë duke strehuar 37,000 njerëz në hotele, ndërkohë që rastet e tyre janë duke u përpunuar.

Shifrat e Home Office tregojnë se këtë vit, deri në qershor 2022, më shumë se 7,000 shqiptarë kanë bërë kërkesa për azil në Mbretërinë e Bashkuar pasi kanë mbërritur me varka të vogla. Vetëm për 50 prej tyre deri më tani është marrë vendim.

Problemi po shkakton një telash politik për Kryeministrin Rishi Sunak, i cili është nën presionin e deputetëve të tij për të ndërmarrë veprime më të rrepta.

Muajin e kaluar, 50 deputetë konservatorë i shkruan kryeministrit duke i kërkuar që të refuzojë automatikisht kërkesat për azil nga ata që pretendonin se ishin viktima të trafikimit të qenieve njerëzore dhe t'i kthente në "fshatrat nga erdhën".

Suella Braverman, Sekretarja e Brendshme, thuhet se po harton plane që do të refuzonin automatikisht aplikimet nga kushdo që vjen nga vendet "të sigurta", përfshirë Shqipërinë.

Kjo ide ka marrë kritika të ashpra nga OKB-ja, e cila paralajmëroi këtë javë: "E vetmja mënyrë për të përcaktuar nëse njerëzit janë refugjatë është përmes një përcaktimi të drejtë dhe efikas të pretendimeve të tyre".

Laburistët thonë se planet e tyre ndryshojnë në atë që do t'i përpunonte kërkesat më shpejt - në vend  që të refuzonte automatikisht të gjitha ato nga vende të caktuara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco