Vrasja tragjike e Hamides me foshnjën e palindur e mbuloi me turp drejtësinë në Kosovë: Kërkohen shkarkime

Vrasja tragjike e Hamides me foshnjën e palindur e mbuloi me turp drejtësinë në Kosovë: Kërkohen shkarkime

12:04, 01/12/2022 Nga A.Zh
A+ Aa A-

Një krim makabër ka ndodhur dje para Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku 35 vjeçarja Hamide Magashi, e cila ishte shtatzënë u vra nga ish-bashkëshorti, Sokol Halili. Viktima ishte në javën e fundit të pritjes së ëmbël e cila u kthye në tragjedi.

Burri me të cilin ishte në proces divorci ia mori jetën gruas dhe fëmijës dhe më pas ka ikur nga vendi i krimit.

Nga organet e drejtësisë me fillim thanë se rasti i gruas më herët ishte paraqitur për dhunë ndaj saj dhe ajo kishte urdhër mbrojtje nga gjykata.

Gjykata Themelore e Ferizajt ka konfirmuar se ndaj rastit në fjalë kishte lëshuar urdhër mbrojtje sipas së cilit i dyshuari nuk guxonte t`i afrohej ish-gruas së tij. Urdhri ishte me afat deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.

më tutje thuhet se ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, “kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”.

Në këtë pikë, realiteti në përplaset se institucionet kosovare kanë dështuar edhe njëherë të çojnë deri në fund obligimin e tyre.

Në rrjetet sociale po kërkohen shkarkime nga institucionet e sigurisë, duke përfshirë edhe nga udhëheqësit e ShSKUK-së.  

Pikërisht pyetjet se a dështuan institucionet kosovare në trajtimin e rastit të djeshëm, Syri Kosova ka biseduar me drejtuesin e organizatës ‘ÇOHU’ Artan Demhasaj, ku ky i fundit ka kërkuar dorëheqjen  apo edhe shkarkime të personave që ishin përgjegjës për mbrojtjen e viktimës.

“Përderisa kishte një procedurë penale ndaj dorasit dhe kishte një masë e sigurisë këtu kemi dështimin e parë, pasi nuk pati mbikëqyrje nëse po respektohej urdhri.

Ajo që ndodhi mbrëmë të bën të reflektosh se duhet të ketë shkarkime nga strukturat e sigurisë dhe organet e tjera të drejtësisë, që ishin përgjegjëse, por neglizhuan rastin.

Raste të tilla po përsëriten në vazhdimësi andaj duhet të ketë sa më parë shkarkime.

Kjo nuk bën të tolerohet, nuk kemi gra për t’u shndërruar në numër”, shprehet Demhasaj për Syri.net Kosova.

Demhasaj u tregua kritik edhe ndaj kryeministrit Kurti dhe ministrave të tij, për mënyrën se si po lëshojnë deklarata skandaloze në lidhje me rastin.

“Deklaratat e lëshuara nga liderët institucionale janë skandaloze, duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë te ideja se mjafton një reagim përmes rrjeteve sociale dhe aty të përfundoj çdo gjë, në lidhje me këto akte makabër. Institucionet duhen të merren me këtë fenomen që veç sa po vjen e po rritet, e jo më vajtua në facebook.

"Kryeministri, ministrja e drejtësisë por edhe ministri i brendshëm duhet të jenë  në krye të detyrë duke marr veprime që ky fenomen duhet sa më shpejt të ndalohet. Rasti i djeshëm nuk duhet të mbetet vetëm në reagimet në rrjetet sociale”, e përfundon komentin e tij Artan Demhasaj.

Në anën tjetër sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala në vrasjen e Hamide Magashit thotë se u dëshmua se sistemi i drejtësisë në Kosovë është në kolaps.

Siç thotë Shala, “kemi katër ministri që kanë dështuar në nivel politik”.

“Në lidhje me vrasjen  e djeshme po dëshmohet edhe një here faktin që shteti i Kosovës me gjithë akteret relevant ka dështuar në gjitha nivelet e tij. Duke filluar nga Gjykata e cila ka lëshuar një mase mbrojtëse për viktimën tani me dhe asnjëherë nuk ka kërkuar raport se a po zbatohet ky vendim i tij. Ndërsa Prokuroria ka neglizhuar situatën dhe potencialin e kryesit të veprës penale sepse sipas shifrave zyrtare ka ra ndesh me ligjin dhe është konsideruar person me potencial rrezikshmërie për bashkëshorten.

Policia e Kosovës në anën tjetër ka dështuar në përcjelljen e informacioneve për një person që ka urdhër mbrojtës nga gjykata dhe që do të lëviz nga vendbanimi Shtime për në QKUK dhe kështu patrullat të vizitojnë tani të ndjerën për ndonjë shqetësim të mundëshëm. Në hallkën e dështimit është edhe punëtori social i komunës se Shtimes që nuk ka ndërmarrë veprime relevante për të njoftuar për lëvizjen e gruas si dhe kërcimet e mundshëm që mund t’i ketë marr viktima nga dorasi tani. Duhet të kërkohet dorëheqje morale të 4 ministrive (MPB, MD. MSH, Ministri Transferove dhe Punës)”, deklaron Shala për Syri Kosovën.

Edhe gazetari Dibran Istrefi ka kërkuar dorëheqje të drejtuesve të Policisë së Kosovës, atyre gjyqësorë dhe të prokurorisë si dhe drejtuesve të ShSKUK-së.

Istrefi ka kërkuar edhe shkarkime të tyre nëse nuk ka dorëheqje.

Se ka vend për akuza e pranon edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, hallka që ka dështuar në rastin e shtatzënës së vrarë mbrëmë te Gjinekologjia, personi përgjegjës do të japë dorëheqje.

Image

“Në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, hallka që ka dështuar, personi përgjegjës do të japë dorëheqje, të gjithë ne që jemi në pozicione që mbajmë kemi përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi, kompetencat janë të ndara, ju garantoj që nëse shohim që ka dështuar dikush do të ketë dorëheqje dhe shkarkime, por keni parasysh dorëheqjet dhe shkarkimet janë kërkuar edhe kur ka dështuar prokuroria, asnjë dorëheqje asnjë shkarkim, dhe këto raste këto mosveprime kjo neglizhencë po inkurajon kriminelët dhe vrasësit. Nuk kemi sot as një prokuror asnjë gjyqtar ka dhënë dorëheqje për shkak që nuk e ka kryer detyrën”.

Ajo tutje tha se ministrja e Drejtësisë nuk ka të drejtë shkarkojë prokurorët dhe gjyqtarët.

Syri.net Kosova që nga mëngjesi deri në momentin e publikimin e këtij shkrimi, ka tentuar të marr një qëndrim të u.d të drejtorit të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti nëse do jap dorëheqje  në lidhje më këtë ngjare, mirëpo ai ende nuk është përgjigjur. Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Prokuroria e Shtetit, nëse do të ketë shkarkim për këtë rast.

Si ndodhi ngjarja tragjike e 30 nëntorit përpara dyerve të Gjinekologjisë?

Image

Ngjarja dyshohet se ndodhi rreth orës 18:00, teksa i dyshuari dhe viktima ndodheshin para klinikës, ku fillimisht kishin pasur një zënkë. Mosmarrëveshja mes tyre eskaloi, kur i dyshuari nxori armën dhe dyshohet se e qëlloi me një plumb, duke e lënë të vdekur në vend. Prej aty, ai ka ikur me veturën e tij Opel Astra me targa 05-450-BC.

Policia e ka shpallur në kërkim të dyshuarin dhe e ka konfirmuar rastin tragjik.

Zëdhënësja e policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar se kanë pranuar informacionin për vrasjen rreth orës 18:00.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, ka thënë ajo.
Pasi Policia e ka marrë informacionin ka dalë në vendin e ngjarjes me të gjitha njësitë, teksa trupi i pajetë i viktimës është tërhequr nga Mjekësia Ligjore.

Ndërkohë edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka reaguar pas kësaj ngjarje të rëndë, duke thënë se kanë nisur hetimet.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovês konfirmon se sonte rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së ka ndodhur një vdekje. Organet policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes. Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”, thuhet në njoftimin e tyre.

Gruaja që u vra dje në oborrin e QKUK-së ishte nën trajtim të autoriteteve pasi në këtë rast ishte lëshuar një urdhër për mbrojtje.

Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse. Bala, tha se institucionet e sigurisë duhet ta shtojnë përgjegjshmërinë, dhe viktimave të dhunës t’u jepet përkrahja e plotë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco