I dyshuar për vrasjen e Xhulio Prelës, sot u kap me kallash në makinë, kush është Nikoll Sherrniku Majtas, i ndjeri Xhulio Prela, djathtas i arrestuari Nikoll Sherrniku

I dyshuar për vrasjen e Xhulio Prelës, sot u kap me kallash në makinë, kush është Nikoll Sherrniku

13:45, 17/08/2022
A+ Aa A-

Policia e Lezhës parandaloi një atentat të mundshëm kriminal mesditën e kësaj të mërkure. Në pranga kanë rënë dy persona, Nikoll Sherrniku 28 vjeç dhe Flutura Berisha, 34 vjeçe.

28-vjeçari ishte me masë sigurie 'arrest shtëpie' në lidhje me përfshirjen e tij në ngjarjen e ndodhur në 5 dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-efektivi i FNSH, Xhulio Prela. 

I riu dhe 34-vjeçarja udhëtonin në një automjet të blinduar, brenda të cilit u gjet nga uniformat blu një armë zjarri kallashnikov. 

Sipas policisë, të dy këta persona dyshohet se me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, do të kryenin një ngjarje kriminale.

Po sipas policisë, në automjetin e blinduar ndodhej edhe një 15-vjeçar. 

34-vjeçarja tentoi të fshehë armën

Shërbimet e Policisë, pasi kanë lokalizuar automjetin tip "Toyota", të parkuar në afërsi të një pallati në Kune, Shëngjin, kanë ndërhyrë për të neutralizuar shtetasit që ndodheshin në automjet. Këta të fundit, sapo kanë parë shërbimet e Policisë duke u afruar, kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap.

Gjatë tentativës për t’u larguar shtetasja Flutura Berisha (drejtuesja e automjetit), ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar. Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga shërbimet e Policisë.

Në automjet, së bashku me këta shtetas ka qenë edhe një i mitur 15 vjeç.

Kallashnikov dhe radio policie në makinë

Në vijim të operacionit, është ushtruar kontroll në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas dhe është gjetur një krehër automatiku me fishekë në të, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës së shtetases F. B., janë gjetur 2 radio marrëse - dhënëse, si ato të Policisë. 

Në përfundim të veprimeve hetimore, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 automatik, 2 krehëra me fishekë në to, 2 radio marrëse dhënëse si të Policisë, si dhe automjeti i blinduar me të cilin lëviznin këta shtetas.

Kush është Nikoll Sherrniku

Nikoll Sherrniku, banues në Kurbin, i arrestuar ditën e sotme dyshohet si i implikuar në ekzekutimin e 26-vjeçarit Xhulio Prela i cili u qëllua për vdekje mëngjesin e 5  dhjetorit teksa po kthehej nga Shkodra, në drejtim të Tiranës ku dhe banonte.

Sherrniku, në këtë ngjarje akuzohet për veprën penale të “Moskallëzimit të Krimit”, ndërsa dy persona të tjerë kushërinjtë, Redion dhe Sokol Hysa, akuzohen për vrasjes e punonjësit të policisë.

Nikoll Sherrniku, akuzohet për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit";

Flutura Berisha, 34 vjeçe, banuese në Kurbin, për veprat penale "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

"Vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të implikuar. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme", thekson policia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco