Kush janë dy të rinjtë e arrestuar që ruanin parcelën me kallash

Kush janë dy të rinjtë e arrestuar që ruanin parcelën me kallash

08:18, 05/07/2022
A+ Aa A-

Një parcelë ku kultivohej lëndë narkotike në zonat e thella malore të Shallës në rrethin e Shkodrës, u identifikua dhe asgjësua nga forcat e rendit. Operacioni i koduar “Gimaj”, emri i fshatit ku u gjet parcela e mbjellë me bimën e kanabisit në një ambient të hapur, çoi në pranga dy persona.

Operacioni

Policia e Shkodrës tha se ka arrestuar shtetasit Elvis Dedendreaj dhe Mikel Ndreaj, banues në qytetin e Shkodrës. Të rinjtë, roli i të cilëve nuk dihet ende në kultivimin e drogës, ishin të armatosur edhe me armë zjarri të llojit automatik si dhe kishin fishekë luftarakë për të ruajtur bimët. Arrestimet erdhën pas kontrolleve në terren edhe nëpërmjet dronëve. “Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur edhe dronë, si dhe kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Gimaj”, si rezultat i të cilit, në vendin e quajtur “Pylli i Staneve të Gakut”, në fshatin Gimaj, në një ambient të hapur, në terren të pyllëzuar, janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Në vijim të kontrollit të territorit, në afërsi të këtij ambientit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Elvis Dedendreaj, 25 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër dhe Mikel Ndreaj, 23 vjeç, banues në lagjen “3 Heronjtë”, Shkodër. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit nga ana e shërbimeve të Policisë, u bë e mundur edhe gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i një arme zjarri automatik dhe municioni luftarak, në një ambient në afërsi të sipërfaqes së mbjellë me bimë narkotike”, sqaroi Policia e Shkodrës.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe identifikimin e kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe i municionit”. Policia lokale shpërndau edhe pamjet e operacionit të arrestimit të tyre pranë parcelave ku kultivohej bima kanabis sativa.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco