VIDEO+EMRAT/ Aksioni te ‘Varri i Bamit’, 5 në pranga, u sekuestrua drogë, makina e celularë

VIDEO+EMRAT/ Aksioni te ‘Varri i Bamit’, 5 në pranga, u sekuestrua drogë, makina e celularë

08:53, 28/07/2021
A+ Aa A-

5 persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, gjatë aksionit të zhvilluar dje në zonën e Xhamllikut, ku pati dhe arratisje të një prej të dyshuarve, i cili u arrit të vihej në pranga më vonë nga policia. Personat e arrestuar janë Altin Gega 28 vjeç, Erjon Prengaj 32 vjeç, Gentjan Kore 47 vjeç dhe Taulant Çoku 34 vjeç nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Ndërkohë që policia ka arrestuar dhe drejtuesin e mjetit tip benz, Gazmir Cani,  26 vjeç, ndaj të cilit nuk është ngritur akuzë për trafik të lëndëve narkotike, por vetëm për kundërshtim të punonjësve të Policië.

Vijon puna për kapjen e një personi të gjashtë, i dyshuar gjithashtu si i përfshirë në veprimtari kriminale. Në dëshminë e tij në polici gjatë ditës së djeshme, Cani u shpreh se nuk kishte ndaluar policisë për shkak se ishte ndjerë i frikësuar, ndërsa ka mohuar që të ketë qenë ndonjëherë i përfshirë në trafik droge.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Xhamlliku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë.

Sekuestrohen 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular.

Vihen në pranga 5 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër shtetas.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në bazë të informacioneve të marra se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë në zonën e Xhamllikut, kanë zhvilluar operacionin e koduar “Xhamlliku”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

G. K., 47 vjeç, T. Ç., 34 vjeç, A. G., 28 vjeç dhe E. P., 32 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi E(E). P(S)., 33 vjeç, i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarje. Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Shtetasit e lartpërmendur janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Kujtim Laro”, në biznesin e shtetasit G. K., ku dyshohet se kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Të katërt këta shtetas, sapo kanë parë shërbimet e Policisë kanë tentuar të largohen me vrap, por janë neutralizuar dhe prangosur nga Policia. Gjatë largimit, ata kanë fshehur lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, i shtetasit G. C., 26 vjeç, pasi ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për të ndaluar për verifikim e tij dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore , për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve  G. K., T. Ç., A. G. dhe E. P., dhe për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në ngarkim të shtetasit G. C.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco