'Armët e shtetit i shisnim për krime'/ Rrëfehet i penduari i dosjes Kompleks

'Armët e shtetit i shisnim për krime'/ Rrëfehet i penduari i dosjes Kompleks

19:19, 16/04/2021
A+ Aa A-

Mes arsenalit të frikshëm të armëve të gjetur në 20 baza në Tiranë nga operacioni “Kompleks”, dyshohet të ketë edhe armë që i përkasin institucioneve shtetërore.

Fakti është rrëfyer nga i penduari i drejtësisë, Enver Jamaku, dëshmia e të cilit çoi në pranga 9 persona, shpalli në kërkim 2 të tjerë dhe zbuloi depot e armatimit që iu shiteshin grupeve kriminale.

A2 ka siguruar dosjen e prokurorisë, ku zbardhen thëniet e Jamakut, që pranon se bashkë me të arrestuarin Algert Hysa shisnin armë për të fituar para.

Sipas Jamakut, Hysa merrej me modifikimin e armëve snajper dhe se bashkëpunonin me Akil Kullën, aktualisht i shpallur në kërkim.

“Akili është i punësuar pranë Uzinës së armëve të ushtrisë që është mbi ‘Kafen e Rremës’. Unë di se Akili duke qenë se ka mundësi të hyjë brenda Uzinës merr numrat e armëve që shkojnë për riparim nga institucione të ndryshme. Këto numra ai ja stampon ndonjë arme të ngjashme, që i blen ose i ka gjendje dhe i ndërron me ato të Uzinës”, thuhet në dëshmi.

Jamaku ka treguar se pas modifikimit armët shiteshin prej tij apo Algert Hysës për çmime nga 1300 deri në 1500 euro. Ai shton më tej se shumica e armëve në depon e Sokol Xhurës, i shpallur në kërkim, janë armë që i përkasin ushtrisë, por janë ndërruar tek uzina e riparimit të armëve.

“Armët e mirëmbajtura dhe të rregullta të institucioneve që i mbajnë për t’i riparuar i ndërrojnë me armë të tjera të Sokolit, duke i ndërruar numrat. Këto armë që Sokoli i merr më pas i shet. Po të verifikohen numrat e këtyre armëve do të dalin se janë ndërruar”, shton i penduari.

Jamaku ka detajuar për hetuesit se për çdo armë të ndërruar Akili dhe një person tjetër merrnin nga 15 mijë lekë. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Ceti17/04/2021 08:43

Kur ne krye te ushtrise eshte nje doktor' nje kukull qe e ka mendjen vetem per korrupsion dhe femra keshtu do te ndodh. Duhet te jap doreheqjen si Shef i Shtabit te ushtrise Bajram Bega. Eshte turp qe ai te drejtoj ushtrine. Ai mund te drejtoj zonjushat qe mban pas por jo nje ushtri te NATO s. Po ashtu edhe Sherbi Sekret i ushtrise fle gjume. Drejtuesi duhet te jap doreheqjen. Ushtria ka aq shume skandale sa po ta dijn qytetaret .....nuk do ket fytyre as ministri as Shefi Shtabit te dalin nga shtepia.

Shto koment

Denonco