‘Cukali më ofroi 30 mijë euro’/ Atentati, i penduari: Gjon Menaj duhej të vritej, por ….

‘Cukali më ofroi 30 mijë euro’/ Atentati, i penduari: Gjon Menaj duhej të vritej, por ….

17:42, 04/03/2021
A+ Aa A-

Enver Jamaku është personi që ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të hedhë dritë mbi atentatin me eksploziv ndaj Gjon Menës, më 9 shkurt të këtij viti, i cili për fatmirësisht u mbijetoi plagëve.

Në lidhje me këtë ngjarje ndodhen në paraburgim Enver Jamaku, me statusin e të penduarit, kushëriri i tij Ermond Jamaku dhe Gjergj Cukali, që dyshohet të ketë porositur atentatin. Nga të dhënat hetimore ka rezultuar se mina nuk është vendosur poshtë automjetit, por në një kuti plastike pranë gomës së parë nga ana e shoferit dhe kjo ka qenë arsyeja që Gjon Mena i ka shpëtuar vdekjes.

Në dëshminë e tij, Enver Jamaku pretendon që në dhjetor të vitit 2020, Gjergj Cukali i ka kërkuar dhe e ka porositur që për një shumë 30 mijë euro ai duhet të vinte në automjetin e Gjon Menës minën me telekomandë. Ai ka pranuar dhe ka kërkuar ndihmën e kushëririt të tij, Ermondit. Në fshatin Ferraj, një kamerë sigurie ka fiksuar një automjet “Ford Fiesta” që Jamaku do e përdorte për të vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së atentatit.

Nga ky automjet është gjetur pronari i automjetit, i cili ka thënë se e kishte lënë në një servis për ta shitur dhe më pas pronari i servisit e kishte kontaktuar për ta shitur. Në momentin që ka ndodhur shpërthimi, Jamaku thotë se Cukali e ka kërcënuar se nuk e ka çuar deri në fund punën dhe nuk i ka dhënë 30 mijë euro po 3 mijë. Jamaku thotë se ia ka dhënë paratë kushëririt të tij Ermond Jamakut, të cilit i kishte premtuar 5 mijë euro.

Enver Jamaku ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të japë emrin e porositësit. Cukali nuk konsiderohet si personi që ka interes të drejtpërdrejt për vrasjen e Gjon Menës, sepse nuk rezulton të ketë njohje të mëparshme apo shkak që ta vriste.

Por, Prokuroria dhe Policia ka dyshime se Cukali është paguar persona të tjerë për të eliminuar Gjon Menën dhe më pas ka kontaktuar kushërinjtë Jamaku për të realizuar atentatin që dështoi.

Nga materiali hetimor ka rezultuar se, nisur nga rrethanat, shërbimet e Policisë kanë realizuar identifikimin e shtetasit Enver Jamaku, banor i fshatit Zall Bastar, i cili është shoqëruar më pas është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, në praninë e detyrueshme të një avokati mbrojtës.

Nga pyetja e shtetasit nën hetim, Enver Jamaku, ka rezultuar se ai është personi, i cili ka marrë përsipër dhe ka realizuar vendosjen e eksplozivit në makinën fuoristradë “BMVV X5”. Sipas deklaruesit, mund të ketë rreth 5 vite, nga koha kur është njohur me shtetasin Gjergj Cukali që e njeh edhe me emrin “Lashi”. Rrethanat e njohjes me këtë shtetas kanë qenë krejt rastësore, kur ai ka blerë një makinë të markës “Audi A3”, ngjyrë të bardhë. Kontaktin e ka krijuar nëpërmjet numrit të telefonit që kishte lënë tek makina, te “Medreseja”.

Ka komunikuar me këtë numër telefoni dhe personi i është prezantuar si shtetasi Gjergj Cukali, të cilin e ka njohur edhe nga lajmet e ndryshme në televizor. Kanë bërë pazar dhe ka blerë makinën me çmimin 2800 euro, për të cilën ka bërë një kontratë noteriale. Makinën më pas e ka regjistruar në emrin e tij, të cilën pas rreth 5 muajsh e ka shitur përsëri. Pas kësaj njohje nuk ka kontaktuar prej shumë kohësh me shtetasin Gjergj Cukali.

Përpara rreth 3 muajsh, në rrugën “Hoxha Tahsin”, ka qenë duke ecur në këmbë kur e ka përshëndetur nga një makinë “Mercedes Benz”, ngjyrë e zezë, autoveturë, shtetasi Gjergi Cukali. Shtetasi Gjergj Cukali e ka thirrur “o Velo”.

Ka kthyer kokën dhe ka parë se ishte shtetasi Gjergj Cukali, i cili ia ka bërë me dorë që do të kthehej. Sipas deklaruesit, nuk e di arsyen përse Gjergji e ka thirrur në këtë emër. Pas rreth një jave, një shtetas i ka shkruar në aplikacionin “Whatsapp” me një numër të panjohur. Ai i ka shkruar se ku ndodhej dhe pasi deklaruesi e ka pyetur se kush ishte, ky shtetas i ka shkruar “Unë Velo, unë”.

Në këto momente është kujtuar se ishte shtetasi Gjergj Cukali, pasi ai e ka thirrur “Velo” në rrugë një javë më parë. Gjergji i ka shkruar ku i ka kërkuar që donte ta takonte. Kjo ka ndodhur para fundit të muajit dhjetor të vitit 2020. Sipas deklaruesit, i ka thënë se ishte në shtëpi, ku rrinte me qira te “Xhamia Xhura”. Me Gjergjin është takuar në rrugë, përpara Xhamisë, rreth orës 18:00-19:00 minuta, në trotuar. Gjergji ka shkuar me një automjet foristradë “Range Rover”, ngjyrë e bardhë. Gjergji ishte dhe me një person tjetër në makinë, në vendin e parë dhe vetë zbriti nga vendi i shoferit.

Gjergji i ka thënë nëse kishte nevoje për punë, ku deklaruesi i është përgjigjur se nuk donte që të ngatërrohej me punët e tij, duke pasur parasysh se e kishte parë në televizor Gjergj Cukalin, që kishte probleme me drejtësinë. Gjergji e ka garantuar se nuk do kishte asnjë problem, vetëm se duhej të vendoste një minë, poshtë makinës së një personi dhe këtë do e bënte në Kamzë, ku nuk kishte kamera sigurie. Gjergji i ka thënë se po ta bënte këtë punë do t’i jepte një shume prej 30 mijë eurosh. Sipas deklaruesit, duke qenë se ishte i papunë, por dhe me shtëpi me qira, me dëshirën për të blerë një shtëpi, ka pranuar.

Sipas deklaruesit, i ka thënë Gjergjit që të shkonin të shikonin vendin dhe personin kujt do t’ia vinte minën. Gjatë bisedës, Gjergji nuk i ka treguar emrin e personit dhe arsyen përse donte qe t’i vinte eksplozivin. Gjergji ka rënë dakord dhe i ka thënë se do t’i bënte telefon dhe do të shkonin bashkë për të parë vendin dhe personin. Pas rreth 3 ose 4 ditësh para Vitit të Ri, Gjergji e ka telefonuar në aplikacionin “Whatsapp”, pasdite.

Ai thotë se Gjergj Cukali e mori në automjetin e tij dhe shkuan pranë banesës së shënjestrës së atentatit.

“Pashë që ishte një djalë rreth 35-40 vjeç. Ishte rreth 185 cm i gjatë dhe kishte flokë të rëna dhe kishte karakteristike mjekrën e dalë. Për këtë arsye vendosa të kërkoja ndihmën e kushëririt tim, Ermondit, për ta finalizuar me sukses punën. Nëpërmjet rrjeteve sociale gjeta një automjet dhe e bleva për 800 mijë lekë të vjetra, në zonën e Kasharit dhe më pas kam lidhur një kontratë te noteri në zonën e Astirit. Këtë automjet do e përdorja për të vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së atentatit dhe më pas do e shisja. Do e mbaja deri sa të kryeja atentatin dhe më pas do e dërgoja në zonën e Brarit.

Fillimisht nuk arritëm ta vinim minën me celular, disa herë i kërkova Ermondit të shkonte atje. Ai shkoi rreth 7-8 herë gjatë ditës, por nuk arriti ta vinte sepse kishte lëvizje dhe mund të pikasej nga kamerat e sigurisë. Në një moment Gjergj Cukali më telefoni dhe më kërcënoi. Më tha që nëse nuk e vendos brenda natës së sotme do t’i kesh punët keq. Për këtë arsye, duke qenë se janë në fuqi dhe rregullat e karantinës, vendosëm të kalonim në periferi të Tiranës, në rrugë dytësore, të pashtruara që të mbërrinim tek banesa e Menës. Kur mbërritëm atje, kemi qëndruar nga ora 12 e natës deri në orën 5 të mëngjesit. Ermondi shkoi dhe e vuri minën me celular dhe në momentin që do lëvizte shënjestra duhet ta shpërthenim, që Mena të ndërronte jetë.

Në momentin që ai doli dhe makina po lëvizte, unë i kam rënë ziles së celularit që më kishte dorëzuar Gjergj Cukali dhe pamë që po dilte tym dhe u ndje shpërthimi. Më pas jemi larguar dhe kemi shkuar në periferi të Tiranës ku do të linim automjetin”, ka deklaruar Enver Jamaku.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco