Vrasja e Behar Sofisë, zbulohen detaje të reja nga hetimet

Vrasja e Behar Sofisë, zbulohen detaje të reja nga hetimet

22:12, 28/02/2021
A+ Aa A-

Hetuesit që po përpiqen të zbardhin ekzekutimin në mes të Tiranës të 66-vjeçarit Behar Sofia janë fokusuar vetëm në identifikimin e autorit. Çuditërisht në vendin e ekzekutimit nuk ka pasur mbulim me kamera edhe pse ndodhet në ‘zemër’ të kryeqytetit.

Rreth 50 kamera sigurie të sekuestruara nga Policia e Tiranës pritet të hedhin dritë mbi identifikimin e autorëve që morën pjesë në vrasjen e 66-vjeçarit Behar Sofia, mëngjesin e 25 shkurtit, në qendër të kryeqytetit.

Sekuestrimi i tyre është bërë përgjatë disa zonave të ndryshme nga mendohet të jenë larguar atentatorët, si përgjatë bulevardit, në zonën e liqenit drejt Komunës së Parisit, në rrugën e Elbasanit, e deri në zonën e Brrylit.

Edhe pse hetuesit nuk e kanë identifikuar autorin, kanë një identikit të tij. Ai dyshohet të jetë rreth 35 vjeç.

Disa kamera sigurie kanë fiksuar momentin kur përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe nëpër disa rrugica te rruga e Elbasanit e më tej në zonën e Liqenit, atentatori largohet me një biçikletë. Më pas, për të humbur gjurmët, mendohet të jetë ndihmuar nga të tjerë persona me një automjet.

Gjatë dy ditëve të fundit, uniformat blu kanë kryer kontrolle në disa banesa pranë zonës së liqenit, ku mendohej se fshiheshin autorët, por pa pasur asnjë rezultat. Në polici janë shoqëruar vetëm familjarë të viktimës. Ndërsa burime pranë grupit hetimor sqaruan për ABC se në vendngjarje kanë siguruar disa prova të rëndësishme që mund t’i çojnë ata drejt identifikimit të atentatorit.

Behar Sofia u qëllua me 2 plumba pranë piramidës dhe ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Traumës. Sipas familjarëve, 66 vjeçari kishte dalë për të blerë disa ilaçe, për shkak se kishte pak ditë që kishte kaluar Covid-in.

Ndërsa pista kryesore për hetuesit vijon të jetë ajo e prishjes së pazareve në trafikun e drogës, për shkak të të kaluarës së tij e të vëllait. /Abcnews

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco