E denoncuan dy të miturat për ngacmim seksual/ 56-vjeçari: Këtu fshihet dikush tjetër...

E denoncuan dy të miturat për ngacmim seksual/ 56-vjeçari: Këtu fshihet dikush tjetër...

15:17, 11/07/2020

Lihet në burg 56- vjeçari, i cili u denoncua pak ditë më parë nga dy minorene për ngacmim seksual. 

Shtetasi R.S., 56 vjeç, akuzohet se ka kryer veprime të turpshme me dy vajza minorene të moshës 13 dhe 9 vjeçe, njëra prej të cilave fqinja e tij. Pavarësisht pretendimeve të të arrestuarit, Gjykata vendosi si masë shtrënguese atë të arrestit në burg ndaj 56- vjeçarit, seancë e zhvilluar me dyer të mbyllura jo vetëm për shkak të situatës së pandemisë, por edhe për vetë ngjarjen që është tejet delikate.

Organi i akuzës deklaroi gjatë seancës se ka prova të mjaftueshme se ai ka kryer veprime të turpshme jo vetëm në një rast ndaj dy minoreneve. Arrestimi i 56- vjeçarit ndodhi tri ditë më parë, pasi 13-vjeçarja u kishte treguar familjarëve për veprimet e tij dhe këta të fundit bënë denoncimin në Polici.

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj 56-vjeçarit, ky i fundit mohoi akuzat duke pretenduar se është i pafajshëm dhe po mbahet padrejtësisht në qeli. Ai u shpreh se nuk ka asnjë lidhje me këto pretendime të ngritura nga organi i akuzës, i cili ka marrë shkak nga deklaratat e vajzave dhe kërkoi të lirohet.

“Unë nuk pranoj asnjë nga këto pretendime. Janë vetëm deklaratat e vajzave, që për hir të së vërtetës, nuk e kuptoj se kush i ka shtyrë të më kallëzojnë në Polici. Këtu fshihet dikush tjetër, i cili duhet të ketë ndonjë përfitim nga e gjitha kjo që po ndodh. Si mund të ngacmoja fëmijët, njërën prej tyre edhe fqinjë, të cilën e kam parë të rritet dita-ditës?! Unë nuk kam asnjë lidhje me këto akuza. Pra, e konsideroj veten të pafajshëm. Nuk di çfarë të them më shumë, por di që po më mbani kot në qeli. Pyesni kë të doni nga ata që më njohin, po qe se ndonjë prej tyre thotë se më njeh për njeri të tillë, atëherë do kërkoj burgim të përjetshëm për veten time”, është shprehur ndër të tjera para trupit gjykues 56-vjeçari. Pavarësisht pretendimeve të tij, trupi gjykues pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke caktuar si masë sigurie “Arrest në burg”.

Tri ditë më parë, dy vajza të mitura të moshës 13 dhe 9 vjeçe, kushërira me njëratjetrën, të shoqëruara nga prindërit e tyre iu drejtuan Komisariatit të Policisë për të denoncuar 56-vjeçarin R.S., i cili, sipas tyre, kishte kryer veprime të turpshme ndaj minoreneve.

“R.S., të cilin e kemi fqinj prej shumë vitesh, më hidhte fjalë të turpshme dhe më ngacmonte duke më prekur sa herë e hasja përballë këtu pranë shtëpisë. Duke dëgjuar se këto ngjarje janë shtuar gjatë kohëve të fundit, vendosa t’u tregoja prindërve dhe ata më thanë që duhet të shkojmë në Polici për ta denoncuar. Ai nuk më ngacmonte vetëm kur isha e vetme, por edhe kur shoqërohesha nga kushërira ime, që është më e vogël se unë, vetëm 9 vjeçe”, mësohet të jetë shprehur ndër të tjera para hetuesit të Policisë, vajza 13-vjeçare. Po ashtu, vajzat kanë treguar se i ka ngacmuar edhe një herë tjetër, kur ndodheshin të dyja para shtëpisë. Ndërkohë, 56-vjeçari jo vetëm që ka hedhur poshtë pretendimet e vajzës dhe akuzat e ngritura ndaj tij, por shton se i ka respektuar si fqinje./Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco