Policia ka shkulur me forcë, çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur në breg të detit në Durrës dhe ka gobitur pronarët e tyre, për zaptim dhe thyerje të masave ndaj përhapjes së koronavirusit. Policia dhe bashkia e Durrësit së bashku kanë bërë edhe një paralajmërim, shoqëruar me kërcënim, se lejet për vendosjen e çadrave do të jepen vetëm nga Qeveria
Bashkia e Durrësit njoftoi se “Policia bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë zhvilluar në zonën e Shkëmbit të Kavajës një aksion për lirimin e plazhit nga çadrat dhe shezlongët e vendosur pa leje dhe në kundërshtim me aktet normative për situatën e krijuar nga Covid -19.
Gjatë këtij aksioni janë gjobitur personat që i zotëronin ato dhe që kishin zaptuar hapësirën e rërës. Policia bashkiake ushtron kontrolle të vazhdueshme për të parandaluar zënien e hapësirave të plazhit nga persona apo subjekte që nuk janë të pajisur me leje.
Lejet do të jepen në bazë të VKM-së dhe udhëzimeve përkatëse që do të vijnë nga qeveria shqiptare. Për ata që nuk zbatojnë ligjet dhe aktet normative do te ketë masa administrative, bllokim të çadrave dhe shezlongëve, deri dhe ndjekje penale.”
© SYRI.net