Lirimi i ‘të fortëve’/ Çfarë pritet të ndodhë në Elbasan

Lirimi i ‘të fortëve’/ Çfarë pritet të ndodhë në Elbasan

21:23, 20/11/2019

Dita e mërkurë u dominua me lajme të rëndësishme për qytetin e Elbasanit, i cili ndodhet prej kohësh nën ‘darën’ e bandave kriminale, që kanë eksportuar krim jashtë vendit, në shtete si Holanda e Anglia, por edhe kanë importuar përplasjet në qytetin e tyre.

Fillimisht u raportua se Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 10 vite Shkëlzen Hasanpapën, të ekstraduar nga Holanda, i akuzuar për atentatin e 6 qershorit 2016, ku u plagos te dera e Drejtorisë së Policisë, Bledar Muça dhe një oficere policie që po kalonte aty. Atentatit i shpëtoi Florenc Çapja.

Më pas seria e vendimeve gjyqsore vazhdoi kur Gjykata për Krime të Rënda shpalli të pafajshëm Suel Çelën për kundërshtim dhe goditje të punonjësit të policisë.

Sipas gjykatës, në “Audin” që goditi policinë në Elbasan ishte Enea Bekteshi, i cili u gjet fajtor dhe u dënua për kundërshtim të punonjësit të policisë me 6 vite burg. Gjykata gjithashtu dënoi me 5 vite burg edhe Klement Xhaferrin për armëmbajtje pa leje dhe largim nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Sipas gjykatës, Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë me prova të qarta përfshirjen e Suel Çelës në ngjarjen në tregun agroushqimor në Elbasan. Prova e gjetur në automjetin “Audi”, cigarja, nuk tregon nëse ka qenë ose jo në momentin e ngjarjes Suel Çela.

Ndërkohë Gjykata e Elbasanit liroi nga paraburgimi Florenc Çapjan, një prej anëtarëve të familjes Çapja, i cili akuzohej për atentatin ndaj ish-oficerit të Policisë Fadil Mema në vitin 2006. Lirimi i Çapjes ka ardhur së bashku me pushimin për të tretën herë të hetimeve për këtë ngjarje.

Edhe pse Florenc Çapja ka qenë i akuzuari kryesor për atentatin ndaj ish-oficerit Mema, asnjëherë organet e drejtësisë nuk kanë mundur dot të vërtetojnë këtë akuzë, duke dështuar në mënyrë të përsëritur.

Kësaj radhe, gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Tomor Kullolli, nuk pranoi kërkesën e Prokurorisë për gjykimin e Çapjes dhe argumentoi se dosja nuk ka prova që vërtetojnë akuzën, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij dhe pushimin e çështjes.

Ndaj familjes Çapja janë kryer disa herë sulme me armë dhe i janë vrarë disa anëtare nga konfliktet dhe hasmëritë që kanë krijuar ndër vite.

Këto vendime brenda një dite kanë nxitur spekulime nga gazetarët e kronikës së zezë, por edhe nga komentuesit, se shumë shpejt Elbasani do i rikthehet ditëve me atentate.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco