Skandali në Ministrinë e Mbrojtjes: 2 milionë shkuan, asnjë armë nuk erdhi qe 4 vjet

Skandali në Ministrinë e Mbrojtjes: 2 milionë shkuan, asnjë armë nuk erdhi qe 4 vjet

19:00, 13/11/2023 Nga A.ZH

Ministria e Mbrojtjes po ballafaqohet në Gjykatën Komerciale me kompaninë ‘Reload’, e cila sipas pretendimeve të këtij institucioni, nuk e ka përmbushur kontratën e nënshkruar në vjeshtën e vitit 2019, përmes të cilës do të furnizonte me armatim të llojeve të ndryshme Forcën e Sigurisë së Kosovës. Tenderi që iu dha kompanisë ‘Reload’ në njërën nga lotet kap vlerën rreth dy milion e gjysmë eurosh. Ministria e Mbrojtjes pak muaj pas nënshkrimit të kontratës i deponoi kompanisë fituese mjetet në dy pjesë, por armatimi nuk erdhi në Kosovë as pas kaq vitesh – raporton Syri.net Kosova.

Tek në prill të këtij viti Ministria e Mbrojtjes vendosi ta padis kompaninë “Reload” për mos kryerjen e obligimeve të marra me kontratë para katër vitesh. Përmes Avokaturës shtetërore të Kosovës, MM ngriti padi në Gjykatën komerciale, duke kërkuar kthimin e mjeteve por edhe vendim për marrjen e masës  së sigurisë për kompaninë në fjalë.

Avokatja Nexhmije Karaqi, gjatë seancës dëgjimore e cila u mbajt sot në Gjykatën Komerciale, tha se nga viti 2019, përkundër vërejtjeve, kompania ka injoruar thirrjet për furnizim pa asnjë arsye dhe pa bazë ligjore e cila mund të gjente mbështetje tek kërkesa kryesore.

Sipas avokates Karaqi, vlefshmëria e kësaj kontrate ka skaduar dhe se mjetet duhet ti kthehen Ministrisë së Mbrojtjes menjëherë. E deri në kthimin e tyre ajo i ka propozuar Gjykatës marrjen e masës së sigurisë për bllokimin e llogarive bankare të kompanisë “Reload”, deri në përfundimin e rastit në Gjykatë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Reload” Fisnik Salihu ka kundërshtuar kërkesën e palës dëmtuese për kthimin e mjeteve dhe bllokim të llogarive bankare, duke e arsyetuar vonesën e mos përmbushjes së kontratës me Pandeminë COVID-19, luftën në Ukrainë, dhe përqendrimin e kompanisë amerikane në prodhimin e armatimit të dedikuara në vendet e konfliktit.

Andaj, siç thotë avokati Salihu në arsyetimin e tij, kërkesa e Kosovës për blerje të armatimit nga kompania amerikane, ka mbetur pezull deri më tani, por që shpejt kjo do të kryhet.

Lexo edhe: FSK-ja bleu armatim mbi dy milionë euro, por malli nuk erdhi

Pala mbrojtëse e kompanisë “Reload” e cila sipas MM-së, dyshohet se e dëmtoj buxhetin e shtetit të Kosovës në vlerë mbi dy milion euro, i dorëzoj trupit gjykues një dokument të kompanisë amerikane (emër i njohur për redaksinë), në konfidencialitet për palët e treta,  të datës 18 tetor, ku sipas avokatit, kompania amerikane sqarohet për mos përmbushjen e obligimeve të marra nga ky bashkëpunim. Kompania zotohet se porosia do të dorëzohet sipas kërkesës dhe pagesave të kryera nga Ministria e Mbrojtjes.

Në një deklarim për Syri.net Kosova, avokati i kompanisë “Reload” Fisnik Salihu, thotë se duke marr parasysh se furnizimi me këto produkte është interes nacional për Republikën e Kosovës kërkon  që të arrihet një marrëveshje mes palëve dhe se sipas tij ky rast shpejt do të marr epilog.

“Kompania është në negociata me Ministrinë, prandaj kërkuam që të kalojë rasti në ndërmjetësim, sepse brenda pak muajve presim të vijë armatimi pasi është edhe në interes të vendit për shkak të situatës së sigurisë. Mbi të gjitha është armatim invoativ e që duhet kohë për prodhim”, u shpreh avokati Salihu.

Por kërkesën e kompanisë ‘Reload’ e ka kundërshtuar, pala e dëmtuar MM-ja, duke prezantuar para gjykatës edhe komunikimin e vazhdueshëm që ka bërë duke i kërkuar përmbushjen e kontratës apo kthimin e mjeteve, në të kundërtën do të detyrohen ti ndjekin të gjitha rrugët ligjore.

Në fund të seancës, gjyqtari Alajdin Tërshnjaku deklaroi se lidhur me vendimin palët do të njoftohen zyrtarisht.

Syri.net Kosova ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Mbrojtjes si palë e dëmtuar, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi pranuar përgjigje.

Lidhur me pretendimet e ngritura me këtë rast, Syri Kosova ka raportuar thirrur në burime brenda MM-së por edhe në përgjigjet zyrtare të Avokaturës  Shtetërore të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco